Blushi: Bojkoti u ndërpre pasi dështoi

26/03/2010 08:15

Pas vendimit për braktisjen relative të bojkotit parlamentar ka mbërritur edhe kritika e parë në adresë të qëndrimeve të Partisë Socialiste.

“Bojkoti u ndërpre, sepse ai dështoi në qëllimet e veta”, deklaroi dje deputeti Ben Blushi. Ai është rishfaqur kështu me një mendim ndryshe, në atë që mund të cilësohet “analiza e munguar” e 8 muajve politikë jashtëinstitucionale.

E mbërritur në pikën më të ulët të imponimit të vullnetit të vet, politika e selisë rozë në këta 8 muaj i ka mohuar vetes forcën e 65 deputetëve që përfaqësojnë një ekip që kontrollon vendimmarrjen specifike në Kuvendin e Shqipërisë.

Kritika e adresuar nga Blushi, i njohur edhe si anëtar i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, hedh një bazë debatimi të brendshëm, pasi ai bëhet tri ditë para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS.

Do të jetë ky forum që do të miratojë vendimet e fundit për protesta dhe hyrjen në Parlament, ashtu sikurse do të duhet të vendosë mbi paketën e re të ndryshimeve statusore të PS.  

Top Channel