
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka deklaruar në Gjirokastër se, banoret e Lazaratit duhet të ndërpresin kultivimin e bimëve narkotike, sepse fenomeni i mbjelljes së kanabisit mban peng gjithë Shqipërinë.
Gjatë takimit rajonal për luftën kundër drogës, edhe ambasadori i OSBE-së Robert Bosch ka deklaruar se, kultivimi kërcënon sigurinë dhe ndikon në imazhin e keq të vendit.
Në takim kreu i komunës Lazarat, Dashnor Aliko është shprehur se ndërprerja e kultivimit të bimëve narkotike duhet bërë në këmbim të programeve sociale prej qeverisë.
“Kërkoj nga gjithë bashkëfshatarët e mi të më dëgjojnë sepse nesër do të jetë shumë vonë. Të hiqet dorë nga mbjellja e kanabisit”, ka deklaruar Aliko.
Ndërsa ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi se, do të goditet pa tolerancë kultivimi i bimës narkotike dhe do të shkojnë në pranga ata që do të tentojnë ta kultivojnë.
“Policia nuk do të jetë e izoluar. Ajo do angazhohet në operacionin gjithëpërfshirës që nis sot me synim crrënjosjen e kanabisit në qarkun e Gjirokastrës”, ka pohuar Basha.
Takimi u krye në pragun e sezonit kur tentohet të mbillet lënda narkotike kanabis sativa.
Top Channel