
Në përfundim të debatit në Top Story, të ftuarit paraqitën mendimet e tyre mbi rolin e ndërkombëtarëve në krizën politike në Shqipëri. Aleksandër Biberaj tha se ndërkombëtarët duhen degjuar megjithëse ata ndjehen të lodhur me Shqipërinë sepse po përsëritim krizat.
“Duhet të dëgjojmë ndërkombëtarët, megjithëse janë lodhur me ne sepse i përsëritim krizat. Jemi me parimin e nisjes me dy hapa para dhe kthehemi sërish mbrapsh. Kohët e fundit është dëmtuar imazhi i vendit sepse pas 28 qershorit u nis si një lojë e vogël dhe përfundoi ku jemi sot. Shkaktare të krizës dihet që janë PS dhe PD të ndihmuar ndonjëherë edhe nga partitë e vogla. Eshte momenti për t’u ndarë nga zgjedhjet e kontestuara. Kishim shpresa se zgjedhjet e 2009-ës do të na nxirrte prej krizave politike. Gjithcka në Shqipëri është e lidhur me politikën. Kjo klasë politike deformon demokracinë, kushtetuten. Konsolidimi i demokracisë dhe dalja e politikës mbi interesat personale duhet të bëhet realitet”, deklaroi ish deputeti demokrat Aleksandër Biberaj.
Ndërkaq përfaqësuesi i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Albert Rakipi tha se ndërhyrjet e ndërkombëtarëve janë mëse normale, por sipas tij palët në Kuvend përpiqen t’i hedhin fajin njëra-tjetrës për mungesën e zgjidhjes.
“PS ka bërë një gjë praktike në parlament në kontekstin ndërkombëtar duke treguar para BE-së se ne nuk po e bojkotojme parlamentin. Seanca maratonë ishte në taktikën për të fajësuar palën tjetër në sytë e ndërkombëtarëve. Ne mendojmë se vetëm me ne ndodh kjo po kjo ndodh edhe në vende të tjera. Elita politike në Shqipëri nuk ka zgjidhur një problem sic është organizimi i zgjedhjeve. Gjithmonë proceset elektorale do kenë probleme si në cdo vend tjetër. Opozita sot është opozita më e madhe që ka patur Shqipëria në kohët e fundit, 66 deputete. Ky numër vendesh të lejon të realizosh një opozitë të fortë duke kushtëzuar qeverinë”, deklaroi Rakipi.
Ndërsa për kreun e partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ngërçi politik në vend zgjidhet vetëm me hapjen e kutive për të siguruar sipas tij zgjedhje të ndershmë në të ardhmen.
“Tani po arrin kulmi i krizës në Shqipëri. Ndërkombëtarët kërkojnë t’i fshihen realitet shqiptar. Sot ka shumë pak njerëz që e prekin realitetin në sy dhe thonë të vërtetën. Zgjidhjen nuk e kemi gjetur as më parë as tani nëse nuk gjendemi para një presioni të madh që do të sillte hapjen e kutive. Ata që kanë vjedhur në 2000, 2005 dhe 2009 do vjedhin sërish në zgjedhjet e ardhshme sepse janë të sigurtë që nuk do ndëshkohen”, tha Milo.
Top Channel