Banda e Durrësit, mbyllet rrëfimi i Colit

25/03/2010 20:10

Pas shtatë muajsh dëshmi intensive, i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Adriatik Coli, i ka dhënë fund rrëfimit të tij para Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Kjo seancë ishte e fundit përgjatë të cilës Coli u është përgjigjur së fundmi edhe avokatëve të të pandehurve.

Në këtë mënyrë marrin fund masat e forta të sigurisë për të ruajtur jetën e të penduarit, ndërkohë që gjykatës do t’i duhet t’i rikthehet vendimit të saj të mëparshëm për të hapur dyert për mediat.

Nga shtatori 2009 deri këtë të enjte, Coli ka folur me detaje për 17 të pandehurit e asaj që prokuroria i quan si banda e Durrësit.

Në dëshmi Adriatik Coli ka folur për ekzistencën e organizatës kriminale që prej 12 vjetësh, shtrirjen e saj në qytetin bregdetar dhe në qytete të tjera.

Foli për vrasje të shumta dhe percarjen e grupit, që sipas Colit, nisi me konfliktet mes Klodian Saliut dhe Lulëzim Berishës.

Pas vrasjes se Klodian Saliut, grupi sipas Colit u nda në dy grupe të tjera, ku drejtimin e njërit e mori Lulëzim Berisha dhe tjetrit Endrit Dokle.

Gjatë këtyre konflikteve Coli foli për përpjekjet e grupit kundërshtar për të vrarë Lulëzim Berishën. Por në dëshmi Coli nxori edhe emra që nuk i kishte treguar më parë në prokurori, sikurse emri i Aleks Kekës, i vrarë muaj më parë gjatë një atentati me eksploziv.

Lista vijon me marrjen e dëshmive të rreth 300 personave të tjerë, mes tyre edhe dy femra të mbrojtura nga drejtësia.

Top Channel