Muça: Na mungon motivimi në fushë

23/03/2010 13:00

Humbja 4-3 e Dinamos në fushën e Skënderbeut ka lënë shije të hidhur në të gjitha ambientet e futbollit shqiptar.

Skuadra më e mirë e kampionatit ka pësuar katër gola në harkun e 21 minutave lojë, ndërsa përpara kësaj sfide kishte pësuar vetëm 18 rrjeta në 23 ndeshje të zhvilluara në Kategorinë Superiore. Dyshimet për tolerim në fundjavë nuk kanë munguar, edhe sepse së fundmi skuadra e drejtuar nga Mirel Josa është akuzuar se po i fiton ndeshjet jashtë fushave, falë edhe ndihmës së politikës.

Tri fitore në tri javët e fundit të kampionatit i kanë rritur dukshëm shanset e bardhekuqve për të qëndruar në elitë. Megjithatë, akuzat për favore janë shtuar edhe prej mesatares së frikshme të golave që u realizuan në Korçë: 7 herë topi është nisur nga qendra e fushës në harkun e 21 minutave. Statistika të pabesueshme për nivelin e futbollit në vendin tonë.

Megjithatë, trajneri Shkëlqim Muça ka deklaruar se blutë nuk duan të tolerojnë, apo t’u bëjnë ndere skuadrave të tjera të Superiores. Sipas tij, problemi kryesor për këtë humbje është mungesa e motivimit të futbollistëve të Dinamos. Kryeqytetasit praktikisht e kanë fituar titullin (edhe pse matematika ende nuk i lejon që të festojnë), pasi kanë 57 pikë pas 24 javësh. Kur mungojnë edhe nëntë javë që të mbyllet kampionati, ata kanë 17 pikë më shumë se Besa, ndjekësja më e afërt në klasifikim.

“Në asnjë mënyrë nuk duam që të tolerojmë në ndeshjet e kampionatit, pavarësisht kundërshtarit apo pozitave që ai ka. Dinamo nuk mendon t’u dhurojë skuadrave të tjera fitore të lehta në fushën e lojës. Megjithatë, në situatën aktuale është shumë e vështirë që skuadra të motivohet dhe të luajë në 100 për qind të mundësive. Lufta për titull është mbyllur prej shumë kohësh dhe pritej që një rënie e tillë të ndodhte. Edhe vetë kishim paralajmëruar se i trembeshim një fakti të tillë”, deklaroi Muça.

Ai ka theksuar se te plogështia që Dinamo po tregon në fushën e lojës kanë ndikuar edhe rezultatet e skuadrave të tjera, të paktën ato që ndodhen më pranë tyre në tabelë. “Rezultate të tilla dhe mungesa e impenjimit nga ekipi vjen mbi të gjitha prej faktit se kundërshtarët tanë kanë pësuar humbje dhe nuk rrezikojmë ta vëmë në dyshim fitimin e titullit kampion, theksoi tekniku. Jam i vetëdijshëm që ky nuk mund të shërbejë si justifikim për humbjen 4-3 në Korçë, por mund të them se rezultati ka ardhur vetëm prej mungesës së motivimit”.

Fjalët e drejtuesit të stolit blu mund të shërbejnë si një paralajmërim për Kastriotin, kundërshtarin e radhës së kryesuesve në kampionat. Krutanët kanë festuar 6 pikë shumë të lehta gjatë dy javëve të fundit të Superiores. Fillimisht ata fituan 1-0 në fushën e Tiranës, një ndeshje për të cilën nuk munguan akuzat se u tolerua për një votë në Asamblenë e FSHF-së (ku presidenti Halili ishte kandidat për presidencën). Ndërkohë, në fundjavën që sapo lamë pas, Kastrioti mposhti 3-2 Besën, falë tri golave shumë të dyshimtë, me mbrojtjen e kavajasve që qëndronte si spektatore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA