SHBA, reforma në shëndetësi “merr jetë”

22/03/2010 08:45

Barack Obama ka arritur triumfin e parë personal që pas uljes në kolltukun e Shtëpisë së Bardhe, pasi reforma në shëndetësi është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Nëpërmjet një votimi që do të hyjë në analet e historisë së politikës, teksti i Senatit mori mbështetjen e 219 deputetëve dhe u kundërshtua nga 212 prej tyre. Asnjë prej 178 republikanëve nuk votoi pro.

Celësi i këtij suksesi janë mbështetësit e fushatës kundër abortit, të cilët kanë arritur t’i marrin një premtim Obama-s në fund të momenteve përpara votimit. “Yes We Can”, slogani i fushatës së presidentit aktual, u vendos në sfond pas miratimit historik të reformës më të madhe shëndetësore amerikane.

Ky projekt përfshin në lojë edhe industrinë e prodhimit të ilaceve, e cila tashmë do t’i nënshtrohet praktikave të reja pas ndryshimit të skëmës së sigurimeve.

Për momentin, buxheti federal është i rrezikuar për shkak të rritjes se kostove mjekësore për të moshuarit dhe të varferit, por synimi i presidentit është të ulë kostot për një dekadë.  Qëllimi kryesor i kësaj reforme është mbulimi me shërbime shëndetësore për 32 milionë amerikane. Shpenzimet e parashikuara për realizimin e reformës janë 829 milionë dollarë.

Top Channel