Fajon në Top Channel: Politika të punojë për qytetarët

21/03/2010 20:20

E ftuar në studiot e Top Channel europarlamentarja dhe raportuesja për liberalizimin e vizave në PE, Tanja Fajon deklaroi se në mes të muajit prill pritet një raportim para PE-së mbi procesin e liberalizimit të vizave, si dhe bëri thirrje për dialog mes forcave politike për të mos dëmtuar imazhin e vendit.

“Në mes të prillit pritet një raport në Parlamentin Europian. Kemi bërë thirrje për propozimin e pranimit të kërkesës së liberalizimit të vizave sa me shpejt. Gjithë procesi është kërkues, kriteret e sigurisë e kufijve dhe dokumentet. Vizitova qendrën e pasaportave biometrike dhe vura re se procesi është i mirë. Është e rëndësishme që qeveria të bëjë një fushatë për të informuar njerëzit për liberalzimin e vizave”, tha Fajon.

E pyetur mbi situatën politike në vend, europarlamentarja deklaroi se kriza politike nuk ndihmon në procesin e liberalizimit të vizave dhe dëmton imazhin e vendit.

“Mendoj që është e rëndësishme që të kemi dialog mes qeverisë dhe opozitës, kjo situatë nuk e ndihmon vendin, nuk është mirë për imazhin e vendit. Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së dhe të gjitha palët duhet ta kenë të qartë se është në përfitim të qytetarëve dialogu mes tyre. Duhet të sigurohet një situatë e stabilizuar dhe nuk është e drejtë që palët të akuzojnë njëra-tjetrën për liberalizimin e vizave”, tha me tej Fajon.

Eurodeputetja sllovene u shpreh gjithashtu kundër protestavë në rrugë dhe tha se me rëndësi mbetet gjetja e gjuhës së përbashkët mes forcave politike.

“Nuk ka vend në bote ku protestat në rrugë janë të dobishme. Ajo që është e rëndësishme është gjetja e gjuhës së përbashkët mes forcave politike të përfshira. Politikanët duhet të jenë të kujdesshëm, duhet të shikojnë përfitimet e qytetarëve. Bashkimi Europian beson se Shqipëria është një vend i besueshëm. Po përpiqem të bind edhe palët kundërshtare në Parlamentin Europian ndaj na duhet më shumë qetësi”, tha ndër të tjera europarlamentarja Tanja Fajon.

Top Channel