Të dhënat zyrtare tregojnë se vitet e fundit bizneset shqiptare po kërkojnë gjithmonë e më shumë tregje të reja jashtë vendit për të investuar paratë e tyre.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në 5 vitet e fundit kompanitë shqiptare kanë investuar jashtë në total rreth 120 milionë euro. Edhe pse kjo mbetet një shifër e vogël, të dhënat tregojnë se investimet e bizneseve shqiptare jashtë vendit po vijnë në rritje nga viti në vit, përvec vitit të fundit, ku edhe ky zë ka ndjerë efektet e krizës
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar të ardhurat që hynë në ekonomi nga investimet e bizneseve shqiptare jashtë, ishin reth 111 milionë euro, gati sa 15 për qind e të ardhurave që hyjnë në vend nga emigrantët. Edhe pse me rënie të fortë në vitin 2009 si pasojë e krizës, të ardhurat e investimeve jashtë janë aktualisht 2 herë më të larta se sa ishin në vitin 2004.
Por pavarësisht kësaj rritje, të ardhurat që vijnë nga investimet e biznesit shqiptar jashtë, janë tre herë më të ulëta nga ato që transferojnë bizneset e huaja që kanë investuar në vendin tonë. Sipas Bankës, vitin e kaluar, kompanitë e huaja, nxorrën jashtë Shqipërisë rreth 347 milionë euro në formën e fitimeve të transferuara.
Një shifër kjo që po rritet me ritme shumë të forta nga viti në vit dhe që në periudha të caktuara të vitit është shoqëruar jo pak herë edhe me lëkundje të kursit.
Top Channel