
Pas shumë orë diskutimesh mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur të gjejnë asnjë rrugë të përbashkët drejt kompromisit. Pjesa e parë e seancës parlamentare është ndërprerë dhe është vendosur që të rinisë pas vetëm pak orësh.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci propozoi shtyrje, për shkak të orës së vonë por edhe numrit të madh të deputetëve që janë në radhë për të folur. Ruci propozoi rinisjen e seancës në orën 10:00 të paraditës së sotme, por kryeparlamentarja Topalli propozoi orën 09:00 për shkak të listës tepër të gjatë të diskutantëve.
Data 18 mars, e vendosur edhe nga ndërkombëtarët si afat për gjetjen e një kompromisi realisht ka skaduar, por seanca e paradites së të premtes do të ndiqet me shumë interes në pritje të arritjes së ndonjë marreveshjeje te mundshme.
Seanca plenare, që ka marrë në shqyrtim dy nismat e propozuara të Partisë Socialiste, ka zgjatur për mëse 7 orë. Ndërhyrja e herepashershme e kryeministrit, ka sjellë replika të forta me disa deputetët socialistë.
Në punimet e sotme palët kanë shprehur qëndrimet e tyre të palëkundura rreth cështjes; mazhoranca ofron komision hetimor me shumicë socialistët, por pa hapjen e kutive, ndërsa opozita nuk mund ta kuptojë dot hetimin pa parë vërtetë se c’ndodhet ne kutitë e 28 qershorit.
Top Channel