Me përjashtim të Serbisë, të shtunën  mblidhen për herë të parë, në Bërdo pri Kranju të Sllovenisë,  kryeministrat e vendeve të ish Jugosllavisë së bashku me atë të Shqipërisë.

“Serbeve u ofruam të gjitha variantet e mundshme, tavolina vetëm me emra, pa flamuj dhe simbole vendesh, tavolina pa emra fare, madje edhe takim pa tavoline fare”, rrefyen burimet diplomatike sllovene per Top Channel. “Por nese Beogradi nuk do, perdorim shprehjen popullore serbe “për atë që mungon, mundemi edhe pa të””, shtojne me ironi të njëjtat burime.

Nisma kroato-sllovene “Se bashku për Bashkimin Europian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen europiane” nuk mundi të sjellë as presidentin e BE-së Van Rompuy dhe as shefin e diplomacise spanjolle Moratinos, por Brukseli do përfaqësohet në këtë tryezë nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule.
 
Sipas organizatoreve, qëllimi kryesor i konferencës është angazhimi për zgjidhjen e problemeve bilaterale si dhe ndihma e ndërsjelltë mes vendeve të rajonit në kuadër të procesit integrues në BE.

“Vetem 5 nga 27 vendet anëtare të BE-së mbështesin në menyre aktive Ballkanin dhe këto janë  Sllovenia, Austria, Hungaria, Italia dhe Sllovakia”, sipas burimeve diplomatike sllovene. “Ndaj në këtë moment duhet të bëhemi bashkë në rajon për t’i deshmuar BE-së se mund të ecim përpara me frymën e kompromisit, frymë që themeloi Unionin” argumentojnë sllovenet.

Në këtë konferencë,  liderët e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Shqiperisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës pritet të dalin në perfundim me nje deklaratë të përbashkët.

Organizatorët shpresojnë që ky format takimi joformal, i cili merr shembull nga takimet e llojit Gymnich dhe  Vychegrad  të organizohet cdo vit në të njëjtën periudhe në vende të ndryshme të rajonit.

Top Channel