Patozi: Opozita kerkon te dalë mbi ligjet e vendit

19/03/2010 21:00

Në fjalën e mbajtur në parlament, kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi ka kritikuar qëndrimin e opozitës ne lidhje me draftin e propozuar për komisionin hetimor dhe qëndrimin e palekundur për hapjen e kutive.

“Do kemi prapë rrugë për të bërë bashkë. Besoj që pavarësisht kundërshtive që mund të kemi, kam një frikë që ne duhet te biem dakort. Parlamenti i një vendi demokratik nuk mund të marrë në shqyrtim letrat e hapura. Ky kuvend mund dhe duhet të trajtojë cdo nismë ligjore të opozitës, por asnjë deputet i maxhorancës nuk mund të votojë ultimatume. Nese keni ardhur në këtë sallë, nuk e keni bërë për ne, por keni respektuar zgjedhesit tuaj, ose në rastin më të keq, e keni bërë për të shpëtuar mandatet tuaja personale. Historia e Kuvendit të Shqipërisë nuk nis në ditën që një grup deputetesh vjen për të zënë karriget ketu”, iu drejtua Patozi deputetëve socialistë.

Sipas tij, maxhoranca u tregua e hapur për cdo kompromis brenda kornizës kushtetuese, por PS vazhdon të kërkojë dicka të jashtëligjshme.

“Qytetarët ta dinë se nuk ka asnjë rast tjetër në botë që të miratohet një ligj mbi kushtetutën. Keni realisht një problem të brendshëm. Asnje forcë serioze politike nuk mund të ndryshojë qëllimin e ekzistences së vet. Ne jemi vërtetë kundërshtarë politikë, por disa vlera ia njohim njëri-tjetrit. Transparenca nuk ka asnjë lidhje me lëvizjen politike të Edi Ramës. Nuk ka pasur asgjë më transparente se sa procesi zgjedhor i 28 qershorit. Për fat te keq ju thoni transparencë për të mos pranuar humbjen dhe për të deligjitimuar institucionet e këtij vendi. Përmes këtyre nismave, Rama ka dëshire të jetë edhe prokuror edhe drejtues i te gjitha shkallëve të gjyqesorit dhe madje edhe interpretues i kushtetutes”, shtoi deputeti demokrat.

Patozi akuzoi gjithashtu kundërshtarët politikë se nuk besojnë tek një zgjidhje e mundshme, pasi ne komionin e ligjeve e nisën diksutimin me kërkesën për ndryshimin e nenit nr.4.

“Ju po kerkoni që me ligj të shndërroni pakicën në shumicë, por kjo është e pamundur. Ju parashikimet i keni pasur që ditën e parë kur erdhet, pa asnjë fakt e provë per zgjedhjet e 28 qershorit. Kemi pranuar cdo propozim për të arritur në një mirëkuptim. Dhe ne e kemi përmirësuar ligjin tuaj duke e bazuar në ligjin e ndarjes së pushteteve. Po përpiqeni me kot të merrni rolin e viktimës. Për muaj të tërë nuk keni lënë fjalë pa thënë se rinumërimi i votave është e drejta juaj. Nuk është mirë qe t’i prezantoni publikut që axhenda e PS-së ka vetëm pikën e kutive sepse vendi ka nevojë për trajtimin e temave të rëndesishme, por nëse ndiheni mirë, po ju themi se nuk mund të mbyllni në kuti as qeverinë dhe as parlamentin. Ju takon të zgjidhni amendamentet tona dhe që nesër komisioni hetimor të fillojë nga puna duke respektuar ligjet e ketij vendi dhe Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi këtu që bashkarisht për të bërë atë që e konsideroni transparence, por lëvizja juaj ka për qëllim krijimin e kaosit që ju te ktheheni në pushtet me dhunë, por kjo është një orvatje e dështuar”, përfundoi Patozi.  

Top Channel