
Vazhdojnë debatet në Kuvend mes deputetëve socialiste dhe mazhorancës. Kryeministri Berisha tha se nuk mund të pajtohet me akuzat e socialistëve për kërcënime dhe burgosje të komisionerëve pa fakte. Nga ana tjetër, kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci akuzoi drejtpërdrejt Berishën për vjedhje të zgjedhjeve.
“Më duhet të shpreh keqardhjen sepse në këtë seancë po spikasin traditat më të zeza të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe po paraqesin opozitën si parti të armikut te brendshëm, si parti të persekucionit. Nuk mund të pajtohem me kërcënimet për burgosje dhe arrestime të komisionerëve tuaj pa patur asnjë fakt. Humbet zgjedhjet dhe tani merreni me njerëzit e thjeshtë, nxirrni emrin e një komisioneri, jo kartat e bixhozit që përdorni tek Tajvani”, tha gjate fjales së tij kryeministri Berisha.
Kreu i mazhorancës u shpreh se humbja ndodh në politikë dhe ftoi opozitën në arritjen e një marrëveshjeje.
“Humbja është një ndodhi e pashmangshme në politike. Të bëjmë një marrëveshje dhe mos përmendni komisioneret tuaj”, deklaroi Berisha.
Pas fjalës së kryeministrit Berisha erdhi edhe replika e ashper e Rucit, i cili akuzoi drejpërdrejt kryeministrin Berisha per vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve te 28 qershorit.
“Pesë herë ka folur kryeministri duke bërë përpjekje për të devijuar diskutimin, për të kompromentuar këtë diskutim, për ta banalizuar këtë debat. Ka vetëm një hajdut, njehësimi i pushtetit me shtetin, me në krye ty, vetem ti je hajdut! Ne kemi akuzë të drejpërdrejte. Nuk kemi akuzë per komisionerë. Ndërpriteni këtë demagogji, këtë diversion, këtë shantazh, këtë mungesë dinjiteti”, reagoi Ruci.
Top Channel