
Debati në parlament vijon ende, dhe këtë radhë është bërë shkas një fjali e deputetit socialist Eduart Shalsi me termin “korrupsion”, që kryeministri Sali Berisha të shpërthejë në akuza direkte për ish-nënkryetarin e bashkisë së Tiranës.
“Ju kërkoj të mos fyeni komisionerët e thjeshtë, të cilët kanë kryer detyrën e tyre. Nuk mund të flisni për korrupsion ju zoti Shalsi që keni vjedhur apartamente”, u shpreh Berisha.
Fill pas kësaj Shalsi replikoi duke kërkuar nga Berisha që cdo akuzë ndaj tij ta depozitojë në prokurori.
Punimet e parlamentit vijojnë pa ndërprerje që prej orës 18:00 të pasdites së djeshme dhe në listën e diskutantëve ndodhen më shumë se gjysma e deputetëve.
Edhe pse palët flasin për zgjidhje duke ofruar secila variantin e vet, nuk është dëgjuar në asnjë moment ndonjë fjali shpresëdhënëse për kompromis të mundshëm.
Dy kampet qendrojnë kryenece në qëndrimet e tyre, ndërkohë që kjo seancë ka shumë gjasa të regjistrojë një rekord për kohëzgjatjen.
Top Channel