
Presidenti i ri kroat Ivo Josipovic u inaugurua në një ceremoni publike në Zagreb në prani të shumë të ftuarve të nderit nga rajoni, mes të cilëve Presidentët Topi e Sejdiu, të të dërguarve të institucioneve europiane në Bruksel dhe Departamentit Amerikan i Shtetit.
Pas himnit kombëtar kroat, Presidenti Josipovic mbajti një fjalë përpara të pranishmëve. Menjëherë pas ceremonisë, Presidenti Josipovic zhvilloi një bisedë me presidentin Topi. Sipas njoftimti të presidencës shqiptare, Presidenti Topi i shprehu homologut të tij kroat Josipovic, urimet me të mira për marrjen e detyrës.
Sipas njoftimit, në takim u shpreh bindja për vazhdimësinë e takimeve dhe të bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen.
Në banketin zyrtar ra në sy ulja pranë e pranë e të dy presidentëve Topi e Sejdiu, ndërkohë që presidenti Josipovic shoqërohej në të djathtë të tij nga Stjepan Mesic, presidenti i mëparshëm i Kroacisë.
Në kuadër të kësaj vizite presidenti Topi zhvilloi edhe një takim me nënsekretarin amerikan të shtetit Xhejkob Lju, ku u diskutua ndër të tjera edhe për tryezën e partive politike. Në takimet me ish-presidentin kroat Stjepan Mesic dhe presidentin e Malit të Zi Filip Vujanovic, merrte pjesë edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili është integruar përfundimisht në takimet e nivelit të lartë rajonal.
Madje prania e Presidentit Sejdiu në Zagreb provokoi edhe bojkotin e presidentit serb Boris Tadic. Zagrebi zyrtar shprehur keqardhjen për mospraninë e presidentit serb, por u përgjigj se nuk mund të mos ftonte Presidentin e Kosovës, një vend të cilin Kroacia e ka njohur zyrtarisht.
Top Channel