“Zbori”, Kuzhe vendos Shpresat në rresht

19/12/2009 12:00

Gjithçka është gati për “zborin” stërvitor me kandidatët për një fanellë të Kombëtares, që do të mbahet në 10-ditshin e parë të janarit në Turqi.

Trajneri Josip Kuzhe ka përpiluar listën me lojtarët që do të ketë në dispozicion prej datës 3 janar në Antalia, ndërsa zyrtarizimi i saj pritet të bëhet publik vetëm pas ndeshjeve të fundit.

Megjithatë, burime pranë drejtuesit të stolit kuqezi kanë bërë të ditur se pjesa më e madhe e futbollistëve të grumbulluar do të jenë 21-vjeçarë.

Elementët kryesorë që kanë luajtur në dy ndeshjet e fundit të ekipit Shpresa (kundër Austrisë dhe Bjellorusisë më 13 dhe 17 nëntor) do të vihen nën urdhrat e trajnerit. Bëhet fjalë për lojtarët kryesorë, si portieri Shpëtim Moçka (Flamurtari), mbrojtësit Klodian Samina (Gramozi), Franc Veliu (Flamurtari) e Arsen Sykaj (Vllaznia), mesfushorët Erando Karabeci (Tirana) e Vilfor Hysa (Teuta).

Këtyre lojtarëve do t‘u shtohen edhe të rinjtë e talentuar të sulmit, Bekim Balaj (Vllaznia) dhe Odise Roshi (Flamurtari). Pritet që të grumbulluar do të jenë edhe dy lojtarë, të cilët nuk luajnë në kampionatin shqiptar. Bëhet fjalë për mesfushorin Emiljan Vila, i huazuar nga Dinamo e Zagrebit te NK Zagreb.

Talenti durrsak ende nuk është ambientuar në kampionatin kroat dhe gjatë merkatos së janarit ai mund të huazohet në një tjetër skuadër.

Grumbullimi i Vilës ka për qëllim që trajneri të shohë nga afër formën aktuale dhe të diskutojë me lojtarin se çfarë është më e mira për karrierën e tij në këto momente. Por, në mënyrë surprizë mund të ketë një vend edhe për sulmuesin Vasil Shkurtaj. Gjithsesi, prezenca e 17-vjeçarit që militon me Olimpiakosin në Greqi ende duhet konfirmuar.
Kjo tregon synimin e Kuzhesë që të kalojë në “sitë” të gjithë të rinjtë, duke shpresuar që dikush prej tyre do të fitohet për të ardhmen e Kombëtares “A”.

“Grumbullimi në Turqi me lojtarët kandidatë për një vend në përfaqësuese është mjaft pozitiv. Pas vëzhgimeve të shumta nga tribunat e stadiumeve shqiptare, trajneri do të ketë mundësi që të punojë vetë me lojtarët”, theksuan burimet pranë teknikut kroat. “Pjesa më e madhe e emrave në listë janë nga Kombëtarja Shpresa e trajnerit Artan Bushati. Objektivi është që Kuzhe të shohë elementët e veçantë në seancat stërvitore, për të krijuar një ide më të saktë për potencialin e tyre. Në këtë mënyrë mund të bëhet një tjetër seleksionim për ata që janë më të vlefshëm, ndërsa lojtarë të veçantë do të marrin edhe direktiva për stërvitje specifike, në mënyrë që ata të vazhdojnë rritjen si profesionistë dhe që një ditë t‘i shërbejnë Kombëtares”.

Në “zborin” e dimrit nuk do të mungojnë as lojtarët më të spikatur të skuadrave kryesore në kampionatin shqiptar. Drejt Turqisë me grupin do të udhëtojnë edhe Elis Bakaj, Gentian Muça e ndoshta edhe sulmuesi Fatjon Sefa. Edhe Tirana do të kontribuojë me një numër të madh lojtarësh: përveç Karabecit, të grumbulluar do të jenë edhe mbrojtësi Andi Lila dhe mesfushorët Jetmir Sefa e Gjergji Muzaka.

Top Channel