
Valon Behrami, kosovari që luan tek Uest Hemi, ka nevojë për një tjetër operacion në gju, ku pësoi edhe dëmtimin, i cili mund ta lërë për tri javë jashtë fushës.
Mesfushori, i cili mungoi në fitoren 5-3 ndaj Bërnlit, pritet të operohet këtë javë. Ish-futbollisti i Lacios qëndroi për 6 muaj larg futbollit për shkak të një dëmtimi në ligamentet e gjurit dhe kishte vetëm pak kohë që ishte rikthyer në fushë, por megjithatë, dhimbjet e kanë shqetësuar vazhdimisht.
Problemi nuk mendohet të jetë serioz, por rikthimi i Behramit pritet të bëhet para Krishtlindjeve. Uest Hemi është në kërkim të rezultateve që do ta largonin nga zona e rrezikshme e rënies nga Premier League, ndërkohë që një tjetër fakt që shqetëson është edhe hetimi i hapur ndaj Çarlton Kole, i cili ka përdredhur edhe gjurin gjatë një përplasjeje të konsideruar të qëllimtë me portierin e Bërnlit, Xhensen, të shtunën.
Top Channel