
Prane fshatit Pishkash te Librazhdit, ne zonen ku dikur qindra minatore punonin ne nxjerrjen e hekur nikelit, komuna ka miratuar nje vendim qe i jep nje siperfaqe prej 27.000 metrash katrore nje firme private per te ngritur nje fabrike qe do te sherbeje per prodhimin, magazinimin dhe tregtimin e lendeve shperthyese.
Nje skandal ky duke patur parasysh qe ndodhemi rreth 300 metra larg fshatit Pishkash, ku jetojne disa qindra njerez. Pra dhe defekti apo pakujdesia me e vogel ne kete fabrike mund te shkaktojne per kete zone nje Gerdec te dyte.
Ne dokumentin qe mban daten 10/06/2009, kryetari i komunes Qukes, Ymer Blloshmi, zyra e urbanistikes me perfaqesues Ardian Leken dhe juristja perkatese kane miratuar kerkesen e subjektit “DNX Nitro” per ngritjen e kesaj fabrike.
Ky dokument eshte futur per t’u miratuar jashte rendit te dites ne mbledhjen e keshillit te komunes ne date 16/06/2009. Ketu diskutimet jane ndezur dhe pavaresisht se ne komunitet apo perballe nesh eshte hedhur teza se ky vendim eshte anuluar, kjo nuk eshte e vertete.
Ai vetem sa eshte shtyre per miratim ne seancen e radhes dhe kjo lexohet qarte ne raportin e mbledhjes.
Pertej datave dhe dokumentave, ata qe duhet te presin ne tokat e tyre nje fabrike te tille jane banoret e Pishkashit, te cilet nuk kane thuajse asnje djeni per ngritjen e saj, ne te kundert ata pranojne se jane genjyer kur u eshte thene se zona e minieres se vjeter do te perdorej per hapjen e vendeve te reja te punes.
“Na thane se do te ishte nje gurore, por kjo eshte gje tjeter dhe nuk pranohet ne asnje menyre”, deklaron nje banor.
Hijet e Gerdecit vertiten kobshem mbi keta banore, qe jeten e tyre e kane te lidhur fort me bujqesine dhe blegtorine, si te vetmet burime fitimi ne kete zone. “Mendojme se do te behet nje Gerdec i dyte”, shprehet nje banor tjeter.
Pishkashi eshte i ndare ne disa lagje dhe secila prej tyre ka kryeplakun e saj, por edhe vete ata nuk jane pyetur mbi kete vendim te komunes Qukes.
“Do te bllokojme cdo lloj gjeje te tille. Ketu nuk do te futet asgje”, deklaron kryeplaku i komunes.
Te harruar prej vitesh nga politika, por me kujtese te forte, banoret pranojne me mire varferine sesa punesimin ne nje fabrike te tille.
“Nuk me duket e favorshme, nuk me ngjan se mund te punesohesha aty. Eshte me e rendesishme te behet diku ku nuk ka shtepi afer”, thote nje banor.
I vetmi pakt qe pranojne banoret e zones eshte zhvendosja e tyre nga qeveria sa me larg fabrikes, qe ende pa nisur punimet eshte shnderruar ne makthin me te madh te tyre.
“Kemi shume frike se pelcasin se grykat e galerise jane te kthyera nga shtepite tona”, thote nje grua. “Mund t’i gjehet nje vend tjeter me te favorshem, aty afer ka shtepi dhe ka shume familje qe marrin uje qe aty. Te behet diku ku nuk ka familje”, thote nje banor tjeter.
Shqetesimi ne Pishkash ka kaluar kufijte e moshes. “Mund te na prishin shtepine. Une kam frike se jam e vogel. Nuk dua qe fabrika te ndertohet se pellcet bomba”, shprehet nje vajze e vogel.
Ne komune askush nuk na jep nje pergjigje te sakte. Kreu i saj Ymer Blloshmi, qe eshte edhe firmetar i projekt/vendimit nuk na pret.
I mandatuar nga kryetari, sekretari i keshillit te komunes perpiqet te na jape sqarimet perkatese.
Por ne fakt mbetet ende enigme se pse nuk eshte zbatuar vec te tjerave dhe nje vendim i Keshillit te Ministrave i dates 24.12.2008 mbi dhenien me qera te pasurive shteterore mbi 200 m2.
Ne raste te tilla kerkohet qe pasurite shteterore t’u jepen kompanive private vetem nepermjet procedurave te konkurrimit, ku duhet te plotesojne nje sere kriteresh te vendosura nga institucionet qendrore apo vendore.
Kjo nuk ka ndodhur ne komunen Qukes, ku konkurs nuk ka patur. Pertej shkeljeve qe jane evidente, ata qe tashme do te perballen me kete rast flagrant te shkeljes se ligjit jane banoret, te cilet duhet tashme te pranojne nje fabrike qe me e pakta mund t’u helmoje ujin e pijshem qe kalon ne ate zone dhe ne rastin me te keq, mund t’u marre edhe jeten duke u shnderruar ne nje Gerdec te dyte.
Top Channel