Pasi ka siguruar finalen e Kupës së Shqipërisë (kundër Flamurtarit më 6 maj në Durrës), është Besa pengesa e radhës për Tiranën në rrugën drejt titullit të 24-t kampion.
Bardheblutë po përjetojnë një nga momentet e tyre më të mira në këtë sezon. Eliminimi në Kupë i Vllaznisë, rivalit më të ashpër në luftën për dy trofetë, ka lënë pas një situatë shumë entuziaste dhe ata janë të gatshëm të japim maksimumin për të
mos lejuar askënd ta prishë festën e tyre.
Në stërvitjen e djeshme është mësuar se do të kenë dy mungesa të sigurta, Dabulla dhe Devolli (të skualifikuar për shkak
kartonësh). Në pikëpyetje është edhe Agolli, i cili ka udhëtuar drejt Finlandës për t‘u paraqitur në radhët e ekipit pronar të kartonit të tij, Vaasias.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se ai po negocion për t‘u rikthyer te Tirana, por këtë herë përfundimisht. Finlandezët
kanë kërkuar shumën e 50 mijë eurove për blerjen e kartonit të tij. Megjithatë, kjo nuk e zbeh vlerësimin e bardhebluve për ndeshjen ndaj Besës, që konsiderohet një kundërshtar i vështirë për t‘u mundur.
Por për mesfushorin e “rilindur” në 6 muajt e dytë të këtij sezonit, Sajmir Patushin, Tirana e ka potencialin për të fituar në Kavajë.
“Ndaj Vllaznisë treguam kush jemi, nënvizon Patushi. Ne jemi më të mirët, pasi u panë qartë diferencat. Por sot, ndaj Besës, duhet të bëjmë kujdes. E respektoj tifozerinë kavajase, por ne shkojmë për fitore. Javët që kanë mbetur, janë të gjitha finale për ne, por mendoj se Tirana do ia dalë mbanë”, nënvizon mesfushori, duke iu referuar fi timit të titullit kampion.
Top Channel