Formula 1; tavan shpenzimeve dhe 26 makina

01/05/2009 09:40

Maks Moslei ka vendosur t’i shkojë deri në fund, pa marrë në konsideratë paralajmërimet e Montezemolos dhe të shoqatës së skuadrave.

Ferrari nuk ishte të mërkurën në Këshillin Botëror, që ndëshkoi me kusht MekLarenin, por presidenti Montezemolo kishte dërguar një letër të gjatë, ku kërkonte të shtyhej vendosja e tavanit për shpenzimet: “Duhet më shumë kohë”. Kjo nuk u mor parasysh.

Këshilli ka vazhduar rrugën e tij. “Tavani është esencial, nëse nuk duam të humbasin disa skuadra. Njerëzit nuk kanë burime të mjaftueshme për të mbijetuar në situatën aktuale ekonomike”, ka shpjeguar në fund të mbledhjes Moslei. Tashmë është deklaruar shuma e saktë e parave, që duhen shpenzuar.

“Limiti i shpenzimeve do të jetë 44,4 milionë euro”. Kjo shifër, sipas Mosleit, duhet të shërbejë për tërheqjen e skuadrave të reja. Siç e kanë treguar faktet, në ditët e kaluara David Riçards (Prodrive) dhe Lola kanë manifestuar interes për një F.1 me çmime më të ulëta. Por kjo zgjidhje i pëlqen edhe amerikanëve të USF1 (të gatshëm të hyjnë edhe pa këtë masë) dhe Xhankarlo Minardi, i gatshëm të rikthehet në Botëror. Tavani nuk i pëlqen një numri të madh të skuadrave, që marrin pjesë tashmë në F1.

Nga ky buxhet janë përjashtuar investimet për marketingun dhe sigurimet shoqërore, për rrogat e pilotëve dhe kolaudatorëve, për shumat e destinuara për pagesat e gjobave dhe sanksioneve që vë FIA, për të gjitha shpenzimet, të cilat nuk influencojnë në performancën e skuadrave në Botëror dhe për përfitimet që vijnë falë pjesëmarrjes në kampionat.

Në 2010 makinat nuk do të mund të furnizohen me karburant gjatë garave. Vendimi është marrë për “të reduktuar kostot e transportit të pajisjeve të furnizimit dhe për t’u lejuar konstruktorëve të gjejnë mënyra të tjera për të kursyer karburantin”.

Po ashtu është konfirmuar, që do të jenë të ndaluara mbulesat për të mbajtur temperaturën e gomave, sikurse do të jenë të ndaluara të gjitha mënyrat e tjera për ngrohjen e gomave. Në rastin e afrimit të skuadrave të reja (në rregulloren sportive është shtuar numrin e makinave pjesëmarrëse nga 24 në 26) do t’u tolerohen 10 milionë dollarë (7,5 milionë euro) për transportin e materialeve në pistat e ndryshme.

Koncesionet janë konsideruar të ekzagjeruara nga “Fota” (shoqata e skuadrave), e cila pozicionin e saj zyrtar do ta bëjë të ditur më 6 maj, pas mbledhjes me Londrën. Por tashmë është e qartë se marrëdhëniet mes FIA-s dhe Fota-s janë prishur.

Kjo mund të çojë drejt dy skenarëve: Tërheqjen e prodhuesve nga F.1, ose lindjen e një serie alternative. Vetë Ferrari ka preferuar të mos bëjë komente për momentin, por dje kanë qarkulluar hipoteza se italianët po meditojnë për një lamtumirë të mundshme nga F.1.

Top Channel