
Përfundojnë negociatat për trajnerin e ri të kombëtares së Shqipërisë. Emri tashmë është në mendjen e Dukës, por zyrtarizmi do të bëhet të martën ose të mërkurën.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe dy zëvendësit e tij, Lutfi Nuri e Bujar Kasmi, të asistuar edhe nga avokati Skënder Fani, u kanë vënë kapak negociatave me kandidatët e interesuar, të cilët ishin përzgjedhur për tratativat në Vjenë.
Tetë ka qenë numri i trajnerëve të përfshirë në këto negociata, duke respektuar një axhendë treditore: një të premten, katër të shtunën dhe tre të dielën.
“Kanë përfunduar bisedimet treditore me kandidatët, emrat e të cilëve nuk mund t’i bëjmë publikë për hir të një marrëveshjeje paraprake mes FSHF-së dhe të interesuarve”, nënvizoi dje shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Tritan Kokona. Edhe pse trajnerët e kontaktuar nuk janë identifikuar ende, duket se jenë dhe tre emra, të cilët i kanë munguar listës së hamendësimeve të deritanishme. Austriaku Herbert Prohaska (54 vjeç), ish-lojtari i Austrisë së Vjenës, Interit dhe Romës në vitet ‘70-‘80. Ai ka drejtuar kombëtaren e Austrisë në botërorin Francë 98’ dhe aktualisht punon si specialist futbolli pranë Federatës Austriake. Një tjetër emër i përfolur është edhe ish-mbrojtësi gjerman, Guido Bukvald, një lojtar i suksesshëm me klube në Gjermani dhe në Japoni. Si trajner ai ka punuar te japonezët e Urava Reds. Emri i tretë është Josef Heinkes, 64-vjeçari gjerman, i cili si trajner ka qenë shumë i suksesshëm në drejtimin e klubeve si Borusia Mynshengladbah, Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit.
Por për të njohur me emrin e trajnerit të ri, shqiptarëve do t’ju duhet ende kohë. Kjo për faktin se, edhe pse presidenti Duka dhe dy zëvendësit e tij Nuri e Kasmi tashmë e kanë krijuar një ide të qartë se kush do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë, ata kanë vendosur ta mbajnë “top-sekret”.
Më shumë se sa për dëshirë të tyre, janë do të jenë të detyruar të respektojnë procedurat formale për raste të tilla. “Do të duhen minimalit dy ditë për të bërë publik një emër konkret se kush mund të jetë trajneri i ri i Kombëtares, sqaron shefi i zyrës së shtypit të FSHF-së.
Presidenti Duka, si fillim do të duhet të konsultohet një herë me Komitetin Ekzekutiv. Pas kësaj mbledhjeje do të merret një vendim përfundimtar se kush do ta drejtojë Shqipërinë në të ardhmen”. Në vijimësi logjike të asaj çfarë tha Kokona, duket se do të jetë dita e martë ose e mërkura, ajo që do t’i japë fund pritjes rreth 10-ditore të kombëtares pa trajner. Pikërisht do të jetë një nga këto dy ditë, ajo që do të zbulojë zyrtarisht jo vetëm emrin e teknikut të kuqezinjve në periudhën në vazhdim, por do të zbardhë edhe detajet e qarta të kontratës që do ta lidhë atë me FSHF-në.
Zyrtarizimi
Presidenti i FSHF-së tashmë e ka krijuar një ide të qartë rreth emrit të zëvendësuesit të Ari Han, por për ta mësuar zyrtarisht atë do të duhet të presim ditën e martë apo të mërkurë
Top Channel