Aventura e Ari Han në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë ka përfunduar. Një gjë e tillë është e sigurt. E ka konfirmon vetë FSHF-ja.
Tashmë trajnerit holandez ia ka ngelur vetëm të numërojë ditët deri të shtunën, kur është edhe afati i fundit. Kjo është kohë e lënë në dispozicion nga drejtuesit e federatës për t’u shfrytëzuar për një marrëveshje konsensuale, e cila do të shpëtonte një pjesë të detyrimeve financiare për prishjen e kontratës.
Largimi
Vendimi për largimin e teknikut të kuqezinjve tashmë është marrë. Mungon vetëm ekzekutimi i tij. Ndeshja me Danimarkën do të mbetet në CV-në e Ari Han si e fundit në krye kombëtares shqiptare.
Lajmi është zyrtar. E ka bërë të njohur dje vetë Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet shefit të zyrës së shtypit, Tritan Kokona.
Presidenti Armando Duka dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, në mbledhjen e javës së kaluar, kanë qenë të një mendimi: “Këtu duhet të përfundojë lidhja mes Hanit dhe Shqipërisë”. Por drejtuesit e FSHF-së kanë preferuar të tregohen të përmbajtur dhe synojnë të shmangin kostot e tepërta të një vendimi për shkarkimin e mundshëm të tij.
Negociatat
Për këtë arsye, presidenti Duka ka ngarkuar një nga të besuarit e tij, të udhëtojë drejt Gjermanisë (holandezi jeton në Shtutgartit bashkë me familjen e tij), ku do të duhet të zhvillojë negociata me trajnerit rreth një prishje konsensuale të kontratës.
Megjithatë, në FSHF është marrë parasysh edhe një përgjigje e mundshme negative e Hanit, i cili pas humbjes në Danimarkë, theksoi se mendon ta vazhdojë “punën e tij si trajner i Shqipërisë”.
Negociatat do të vazhdojnë deri të shtunën dhe nëse nuk do të ketë marrëveshje, atëherë hyn në fuqi vendimi për shkarkimin e tij, i cili mund t’i kushtojë FSHF-së rreth 80 mijë euro.
Shkaqet
Ari Han erdhi me shumë bujë në krye të përfaqësues sonë, por tashmë atij i duhet t’i dorëzohet fatit të largimit.
Pas një starti të mirë, kur me të në krye Shqipëria arriti të barazonte me Suedinë, të mundte Maltën në Tiranë dhe të barazonte me Portugalinë në Braga, pjesa tjetër e ndeshjeve eliminatore flet e gjitha kundër tij. Barazimi ndaj Maltës në La Valeta, ishte zhgënjimi i parë, që nxori në pah defektet e profesionalizimit të Hanit. Nuk ndërtoi dot një skuadër të denjë për të shënuar dhe bëri gabime në vendosjen taktike të skuadrës.
Ndaj Hungarisë dhe Danimarkës (dy humbjet që “e morën në qafë”) la çuditërisht jashtë Bogdanin e Kapllanin dhe demonstroi gafa të pafalshme tekniko e taktike, të cilat vinin në dyshim edhe aftësinë e tij për të bërë trajnerin. Në fund bëhen llogaritë: Rezultati me Hanin trajner më i dobëti në “epokën” e të huajve në krye të Kombëtares: 6 pikë, në vendin e pestë në grupin 1, shumë larg objektivit.
Trajneri i ri
Largimi i tij i hap rrugën ardhjes së një trajneri të ri, i cili pjesën e mbetur të eliminatoreve (ndaj Portugalisë dhe Suedisë), duhet t’i shfrytëzojë për të ndërtuar një skuadër të denjë për edicionin e ardhshëm të eliminatoreve të Euro 2012.
Emrat e pasuesve të Hanit kanë filluar të qarkullojnë prej kohësh, por ende nuk është mësuar për ndonjë tratativë zyrtare me ndonjë prej kandidatëve. Gjithsesi, një gjë është thuajse e sigurt: Duka do të vazhdojë traditën e vënë që me marrjen e presidencës së FSHF nga ana e tij, duke emëruar në krye të Kombëtares një tjetër të huaj edhe pse demonstrohet i hapur edhe CV-të e kandidatëve shqiptarë.
Gjithsesi, mbetet ende për t’u formuluar një strategji afatgjatë, ku të parashikohet edhe një nga pikat më të kritikuara deri tani në lidhje me trajnerët e huaj: ajo e kohës së pakët të qëndrimit në Shqipëri, aq sa shpesh janë etiketuar si trajnerë me korrespondencë. Se kush do të jetë trajneri, do të duhet ta mësojnë në ditët e ardhshme.
Top Channel