Ironia e Haxhiosmanoviç: Nuk e njoh fare Tiranën

15/04/2009 09:55

Kupa e Shqipërisë i “vjedh” skenën Kategorisë Superiore. Trofeu i dytë për nga rëndësia në vend ka hyrë në fazën kulmore, edhe sepse sot do të luhen ndeshjet e para gjysmëfinale.

Përballja më interesante është pa dyshim ajo që do të luhet në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku Vllaznia pret Tiranën.

Sfida, ndërmjet dy ekipeve historike në futbollin shqiptar është etiketuar edhe si finalja e parakohshme e këtij edicioni. Por, ajo merr përmasa edhe më të mëdha për vetë faktin se asnjë nga dy rivalet për titullin kampion të këtij sezoni nuk tërhiqet: fitimi i Kupës do t’i paraprinte festës për triumfin në Superiore, që sipas gjasave do të zgjidhet me ndeshjen direkte, në javën e fundit të kampionatit.

Kur mungojnë vetëm pak orë nga fërshëllima e fillimit, nga Shkodra ka ardhur edhe “ngacmimi” për ndeshjen e planifikuar të luhet me drita, në orën 18:30. Drejtuesi i stolit kuqeblu, Dervish Haxhiosmanoviç ironizoi kryeqytetasit, duke thënë se nuk e njeh Tiranën.

“Jemi në një moment të mirë. Skuadra po arrin formën optimale. Vijmë në sfidën e parë gjysmëfinale pas disa fitoreve radhazi në kampionat dhe kjo na jep besim për ndeshjen”, deklaroi malazezi.

“Personalisht mund të them se nuk e njoh aspak lojën e Tiranës, sepse nuk e kam parë asnjëherë këtë skuadër duke luajtur gjatë këtij sezoni”. Por, “ngacmimi” për bardheblutë nuk mund të mbyllej me kaq. Deda shtoi: “Unë shoh vetëm skuadrën time.

Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë sportive. Do presim takimin të shohim si do rrjedhin ngjarjet. Objektivi dhe detyrimi ynë është që të fitojmë 90 minutat e para në fushën tonë, pasi në këtë mënyrë do ta kemi më të thjeshtë në ndeshjen e kthimit në Tiranë”.

Gjysmëfinalja tjetër është ajo që do të luhet në Vlorë, ku Flamurtari pret Shkumbinin. Vlonjatët arrijnë në turin e parafundit të Kupës për herë të parë që prej edicionit 1998/’99, duke eliminuar në çerekfinale Partizanin (pas ndeshjes së tretë prej shkeljeve në rregullore).

Edhe pse skuadra do të përfitojë 10 mijë euro nëse arrin në finale, kuqezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë me peqinasit që mbajnë vendin e katërt në kampionat. Kjo edhe për faktin se trajneri Memushi nuk do të ketë në dispozicion pothuajse gjysmën e formacionit titullar. Nëse Shkumbini fiton në 180 minuta me Flamurtarin, kjo do të jetë hera e parë në histori për klubin që luan në finale.

Top Channel