
Ervin Skela dhe skuadra e tij, Energie Kotbus, kanë marrë të shtunën një nga fitoret ndoshta më të rëndësishme të sezonit.
Ata kanë mundur me rezultatin 2-1 një rival të ashpër në luftën për t’i shpëtuar rënies në Bundesligën 2. “Ne donim ta fitonim këtë ndeshje, prandaj edhe kemi luajtur me shumë pasion dhe dëshirë.
Në një mënyrë apo në një tjetër, ne do të kishim arritur të shënonim dhe do ta bënim tonën këtë fitore. Por nuk duhet të harrojmë se kishim në anën tonë edhe fatin. Nëse Arminia do të kishte shënuar e para golin e avantazhit, do të ishte shumë e vështirë për ne që ta përmbysnim rezultatin”.
Kur luhej minuta e 47 e takimit dhe rezultati ishte 1-0, futbollisti shqiptar ka humbur një rast të pastër për të shënuar golin e dytë. Nga dhjetë metra distancë, Skela nuk ka mundur të tundë rrjetën, pasi gjuajtja e tij është larguar me kokë në vijën e portës nga ana e mbrojtësit të Arminias. “Se si arriti Markus Bollman ta ndalonte gjuajtjen time mbi vijën e portës, nuk e kuptoj ende”.
Të premten e ardhshme, skuadra e tij do të duhet të luajë shanset e saj për mbijetesë kundër Shalke 04. Do të jetë një ditë e vështirë, por Kotbus nuk ka asgjë për të humbur dhe do të mundohet të luajë të gjitha kartat në dispozicion.
Top Channel