
Lista e re e barnave me rimbursim për vitin 2009, e “kopsitur” me të gjitha ilaçet që janë përcaktuar të jenë pjesë e këtij “libri” ndodhet në Ministrinë e Financave.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka mbyllur të gjitha propozimet e listës, si dhe ka parashikuar se cilat nga ilaçet e sugjeruara do të jenë në rimbursimin e këtij viti, komisioni i hartimit të kësaj liste ka propozuar dy barna të reja dhe shumë të shtrenjta.
Sipas komisionit të hartimit të listës së barnave, janë propozuar që këtë vit të jenë pjesë e rimbursimit medikamentet për të sëmurët të cilët kryejnë transplant dhe për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda të gjakut, siç është leucemia.
Duke u nisur nga përfundimi i një marrëveshjeje, e cila arrinte të siguronte trajtimin për pacientët me sëmundje të gjakut dhe tashmë fondi i dhënë nga ky bashkëpunim nuk mund të sigurohet për vitin 2009, është menduar që nevojat për këtë kategori pacientësh të jenë pjesë e listës së rimbursimit.
Lista e re e barnave është mbyllur si çështje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Specialistët e Drejtorisë së Farmaceutikës kanë përzgjedhur sugjerimet nga klinikat e spitaleve, specialistëve, mjekëve nga i gjithë vendi, si dhe firmave farmaceutike.
Miratimi i listës
Projektvendimi i listës së re të barnave ndodhet tashmë pranë specialistëve të ekonomisë, për kryerjen e përllogaritjeve të kostos së saj, për të dalë në konkluzion nëse buxheti arrin ta përballojë apo jo.
Ditën e mërkurë, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë këtë listë të re të barnave, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të botojë të përmbledhur dhe të plotë listën e barnave me të gjitha klauzolat përkatëse.
Këtë javë, pritet të publikohen lënia jashtë liste e disa form-dozave, si dhe zëvendësimet e reja të barnave, të cilat kanë qenë pjesë e rimbursimit vitin e kaluar. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e barnave, që do të jenë pjesë e listës, për të cilat janë dhënë sugjerime për të vendosur alternativat më të mira dhe më efikase, përfshijnë kategoritë e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, prostata, tensioni, sëmundjet e sistemit nervor, frymëmarrja apo hormonet.
Ilaçet me rimbursim
Kryesisht, nga lista e barnave me rimbursim, përfitojnë pensionistët, të cilët janë kategoria me sëmundshmërinë më të lartë, kjo edhe si pasojë e moshës. Pavarësisht se një pjesë e mirë e tyre përfitojnë nga lista e barnave, për të marrë ato ilaçe për të cilat kanë paguar “kuota” në formën e kontributeve gjatë viteve, një pjesë e konsiderueshme janë të detyruar të blejnë barna edhe jashtë kësaj liste.
Top Channel