Tirana-Vllaznia, nis “countdown”-i

11/04/2009 09:10

Kur duhen edhe 7 javë deri në përfundimin e këtij sezoni, tashmë ka filluar numërimi mbrapsht për dy prej rivalëve më të fortë për titull, Tiranën dhe Vllazninë.

Të dyja skuadrat kanë filluar të kalkulojnë çdo situatë të mundshme, për të shmangur episodet e pakëndshme, të cilat mund t’u rrezikojnë ecurinë drejt trofeut më prestigjioz të kampionatit shqiptar të futbollit.

Në të njëjtën kuotë pikësh në klasifikim (nga 51 secila), duket se sfida, deri në ditën kur do të jepet verdikti final për titullin, do të ketë të garantuara spektaklin dhe emocionet. Një provë “zjarri” do të duhet ta kalojnë që këtë javë, kur të dyja ekipet do të jenë të impenjuara përkatësisht në dy ndeshje jo të lehta në letër.

Bardheblutë do të presin në shtëpinë e tyre Elbasanin, një skuadër që është e uritur për pikë, për shkak se pozitat e saj në tabelën e renditjes po përkeqësohen me kah nga zona e ftohtë e tabelës, e cila të çon një kategori më poshtë.

Ndërsa vetë Tirana e ka të domosdoshme një fitore, për të mos i lejuar Vllaznisë asnjë shans për të marrë kreun e vetme. Kjo është ndeshja e 133-të mes Tiranës e Elbasanit, ku 68 fitore kanë shkuar në favor të bardhebluve.

30 ndeshje janë mbyllur në barazim, ndërsa vetëm 35 takime janë fituar nga skuadra verdheblu, e cila ende nuk e ka zgjidhur enigmën e trajnerit të ardhshëm, që do të duhet të zërë vendin e Farruk Sejdinit të dorëhequr. Për teknikun e Tiranës, Agustin Kolën, “kundërshtari është për të mos u nënvlerësuar, me gjithë situatën që po kalon. Duhet të kemi kujdes, pasi është një skuadër me tradita dhe me kualitete të shumta në përbërje. Megjithatë, kam besim se do ta kalojmë me sukses këtë sfidë, duke pasur parasysh se luajmë me karakter dhe lojë sulmuese”.

Jo më pak të lehtë do ta ketë Vllaznia, e cila do të duhet të presë në “Loro Boriçi” Partizanin simpatik të Shpëtim Duros. Të kuqtë, me gjithë hallet e mëdha financiare (të papaguar që prej thuajse një viti), gjatë kësaj pjese të dytë të sezonit kanë dhuruar një impakt pozitiv me ecurinë e tyre, duke shënuar një mesatare të admirueshme edhe për pretendentet për titull në këtë sezon.

Sipas trajnerit Shpëtim Duro, bëhet fjalë për “një transfertë të vështirë, për të cilën po përgatitemi në maksimum. Kundërshtari lufton për titullin kampion dhe sigurisht që përballja do të jetë e fortë. Megjithatë, ne do të shkojmë me synimin për të mos dalë të humbur”.

Partizanit do t’i mungojë mbrojtësi Renato Malota (i pezulluar) e në dyshim është edhe mbrojtësi tjetër me përvojë Fatjon Tafaj (në rikuperim e sipër). Nga ana tjetër, homologu i tij në pankinën e Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, kërkon “zero tolerancë” ndaj Partizanit për një fakt të vetëm: “Për të shkuar te titulli, duhet t’i shikojmë të gjitha ndeshjet si një finale”. Për ndeshjen e sotme ndaj Partizanit pritet të ketë sërish ndryshime në formacionin e Vllaznisë.

Doçi jo vetëm është i skualifikuar, por është edhe i dëmtuar dhe për këtë arsye i ka dhënë fund këtij sezoni. Në vend të tij, në krahun e majtë të mbrojtjes, mund të luajë Lici. Vllaznia e Partizani janë ndeshur plot 132 herë me një bilanc: 40 fitore Vllaznia, 33 barazime, 59 fitore Partizani (golavarazhi 136-186). Po ashtu, sfida interesante priten edhe nga Dinamo-Teuta, Shkumbini-Besa, Bylis-Flamurtari e Lushnja-Apolonia.  
 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta