
Pas dhunës në fushë së paprecendet, vendimi për përjashtimin nga ky sezon dhe pezullimin për dy vite nga futbolli për dy skuadrat e kategorive inferiore, Tërbunit dhe Butrintit, ka bërë që Puka dhe Saranda të reagojnë në mënyra diametralisht të kundërta.
I pari futet në grevë urie në shenjë proteste, ndërsa i dyti i lutet FSHF-së për mëshirë. Ndodh edhe kështu. Gjithçka në emër të dashurisë për futbollin, këtë lojë magjike anekënd botës, por që për qytete të vogla është “fe”, është “ushqim”, është jetë. Ngjarjet e ndodhura në takimin Tërbuni-Kastrioti, ku publiku vendas, i irrituar nga një anulim goli prej gjyqtarit Mentor Sopjani, u fut në fushë dhe dhunoi pa mëshirë treshen e gjyqtarëve, u ndëshkuan me dorë të hekurt nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, i cili e pezulloi Tërbunin nga të gjitha aktivitetet futbollistike kombëtare për 2 vjet dhe e zbriti një kategori më poshtë.
Vendim i cili është kontestuar fuqishëm nga pukjanët, të përfaqësuar nga kryebashkiaku Rustem Strugaj, i cili menjëherë paralajmëroi se do ta ndjekë çështjen deri në Lozanë. Por, dje, ditën e 8 Marsit, lajme të tjera vijnë nga Puka, që për futbollin shqiptar përbëjnë gjëra të padëgjuara më parë. Greva e urisë është ajo që do të bëjnë intelektualët e Pukës (10-12, mes të cilëve mjekë, mësues, ekonomistë etj.), bashkë me lojtarët dhe stafin e Tërbunit. Gjithçka është konfirmuar edhe nga kryetari i Bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj, i cili ka kontaktuar dje me grevistët e mbyllur në Pallatin e Kulturës së qytetit që nga ora 19:30.
Ndërsa të gjithë lojtarët e Tërbunit mësohet se do t’i bashkohen grevës sot në orën 09:00 të mëngjesit, si dhe gjithë futbollistët e Tërbunit, bashkë me stafin teknik. Kurse nga Saranda mbërrin reagimi i këshillit bashkiak, i cili pasi e ka konsideruar ngjarjen e rëndë çështje individuale të lojtarëve përkatës, jo të të gjithë ekipit, ka kërkuar mëshirë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Top Channel