Kola: Lufta për titull, e hapur mes tri skuadrave

09/03/2009 10:15

Tiranës i ka mjaftuar një fitore e ngushtë 2-1 ndaj Lushnjës dhe një hap i gabuar i Vllaznisë (0-0 në shtëpi ndaj Bylisit) rimerr sërish kreun, por gjithsesi trajneri i bardhebluve, Agustin Kola, e di mirë se rruga për te titulli është e gjatë dhe se asgjë nuk është e sigurt deri në fund të sezonit.

“Fituam një betejë, por lufta vazhdon, nënvizoi tekniku i Tiranës, i cili ka vlerësuar angazhimin e skuadrës së tij në sfidën ndaj Lushnjës dhe është shprehur i kënaqur me rezultatin, por ka këshilluar të mendohet për sfidat e ardhshme. “Me Lushnjën ishte një ndeshje e vështirë dhe duhet ta vlerësoj për trepikëshin që kemi marrë. Mund të them se ndaj Tiranës të gjitha skuadrat mobilizohen dhe luajnë fort. Fituam një betejë, por lufta është ende e gjatë deri në fund të kampionatit. Nuk mund të them se ekipi luajti keq.

Që në fillim Tirana tregoi shpirt gare. Ky trepikësh ishte shumë i rëndësishëm dhe na bën të ndihemi të qetë për ndeshjen e radhës. Lushnja nuk kishte çfarë të humbte, ndaj dha gjithçka për të marrë qoftë dhe një pikë”. Trajneri foli gjithashtu edhe për luftën për titull. “E theksoj edhe një herë që na kënaq trepikëshi, por duhet të mos falim pikë të tjera rrugës. Lufta për titull mbetet e hapur mes tri skuadrave kryesuese”, përfundoi Kola.

Top Channel