Memelli beson te kjo Tiranë

06/03/2009 09:25

Skuadrat përgatiten të ndezin motorët për Fazën III, e cila është edhe vendimtarja e sezonit.

 Edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit është në pritje të vendimit që do të marrë Gjykata Sportive e UEFA-s në lidhje me ankesën për vendin e parë në tabelën e renditjes, për momentin është në fuqi kalendari i publikuar nga organi më i lartë i futbollit në vend, që i referohet Tiranës si kryesuese.

Në bazë të këtij kalendari të gjitha skuadrat po përgatisin edhe ndeshjet e javës së 23 të këtij sezoni. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe bardheblutë, të cilët e shikojnë edhe më të mundshëm arritjen e titullit të 24 në historinë e klubit. Kalendari kësaj faze duket disi i favorshëm për Tiranën.

Këtë e pohon sulmuesi Migen Memeli, i cili, megjithatë, nuk e shikon si një favor të madhe faktin që sot luajnë tetë ndeshje brenda, të fundit prej tyre përballë rivalit më të ashpër në luftën për titull, Vllaznisë. 28-vjeçari korçar, i huazuar në fillim të këtij sezoni për një vit nga skuadra suedeze Gais, ka paralajmëruar se lufta për trofeun do të jetë shumë e fortë deri në ditët e fundit të kampionatit, ndërkohë që pengesat në këtë rrugë do të jenë të shumta.

Por thekson se Tirana i ka të gjitha mundësitë për të ecur përpara, mjafton të mund të shprehë si duhet potencialin e saj. “Kemi fazë të vështirë, duhet përqendrim, angazhim serioz dhe luftë e fortë sportive”, nënvizon Memelli. Ndeshja e radhës e Tiranës do të jetë kundër Lushnjës në kryeqytet. Për Memellin nuk bëhet fjalë për një përballje të lehtë, edhe pse kundërshtari renditet në fundin e tabelës së klasifikimit.

“Lushnja nuk duhet nënvlerësuar”, shprehet Memelli, i cili ka besim se skuadra do të lërë pas periudhën negative, pa fitore për mungesë të golave. “Do kthehemi shpejt te fitorja dhe shpresojmë që të bëjmë gjithçka mirë, për të shkuar te titulli”, sqaron sulmuesi bardheblu, i cili është shndërruar brenda pak muajsh në golashënuesin më të mirë të kësaj skuadre: 13 gola në kampionat dhe 7 në Kupën e Shqipërisë. Por Memelli ka edhe një objektiv personal. “Kam premtuar se do të shënoj 20 gola në këtë sezon dhe shpresoj se do ta realizoj. Te goli do të kthehem që këtë javë ndaj Lushnjës” përfundoi ai.

Top Channel