“Ok” i ndërkombëtarëve për Vllazninë ndryshon kalendarin

05/03/2009 09:55

Federata Shqiptare e Futbollit do të zbatojë vendimin e FIFA-s dhe UEFA-s rreth klasifikimit në Kategorinë Superiore.

Pas pretendimeve se mban vendin e parë në kampionat, drejtuesit e Vllaznisë janë ankuar tek organizmat ndërkombëtarë, me pretendimin se renditja e njohur nga FSHF-ja (me Tiranën në krye), nga e cila rrjedh kalendari i fazës së tretë të kampionatit është i pasaktë.

Edhe pse aktiviteti elitar ka hyrë në fazën më të nxehtë, beteja është spostuar nga fushat e lojës në tryeza dhe për të zgjidhur situatën e krijuar për shkak të vakumeve në nenet e KDS-së do të ndërhyjnë FIFA dhe UEFA. Nëse ato u japin të drejtë shkodranëve, kalendari i Superiores do të ndryshojë. “Natyrisht që ne do t’u bindemi direktivave të FIFA-s dhe UEFA-s, e nëse për to Vllaznia ka të drejtë, ne si institucion do ta pranojmë këtë vendim”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici.

Gjithsesi, numri 2 i federatës vazhdon të shprehet i bindur për rregullsinë e klasifikimit pas 22 ndeshjeve të zhvilluara. “Mund të konfirmoj se kemi vepruar në mënyrë të drejtë, konform rregullores sonë, e cila është e qartë, nënvijëzoi ai. Ankesa e Vllaznisë? Nëse ata mendojnë se u është mohuar ajo që u takon, kanë të drejtë të ankohen tek organizmat më të rëndësishëm të futbollit”.

Sipas kalendarit aktual, ku Tirana renditet në vend të parë, bardheblutë janë të favorizuar në luftën për titull. Skuadra e Agustin Kolës do të luajë në kryeqytet 8 nga 11 ndeshjet e mbetura të sezonit: 6 në shtëpi, që parashikohen në kalendar dhe dy si “udhëtuese” kundër Partizanit dhe Dinamos, pra ndeshje që luhen në Tiranë.

Top Channel