Tërbuni në FSHF, kërkon falje

04/03/2009 09:15

Rreth 68 orë pas incidentit të dhunshëm në Pukë, ku një grup tifozësh dhunuan treshen e gjyqtarëve pas takimit Tërbuni- Kastrioti (1-1), i vlefshëm për Kategorinë e Parë, drejtuesit e klubit pukjan kanë zbarkuar në FSHF, ku ka kanë kërkuar një falje për atë ngjarje të shëmtuar dhe kanë insistuar për të marrë garanci për një gjykim të paanshëm.

Ishte pikërisht presidenti i ekipit të Tërbunit, njëkohësisht edhe kryebashkiaku i Pukës, Rrustem Struga, ai që është pritur në një takim nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka, dhe sekretari i Përgjithshëm, Arben Bici. Bëhet fjalë për një takim me dyer të mbyllura, tema kryesore e të cilit ishte incidenti i së shtunës, ku mbeti i plagosur rëndë gjyqtari Mentor Sopjani dhe u lënduan edhe dy ndihmësit e tij.

Kryetari i Bashkisë së Pukës ka pohuar se kishte komunikuar edhe gjatë ndeshjes me presidentin e FSHF-së, të cilit i kishte thënë: “Më thuaj që ta tërheq ekipin, se me këtë gjyqtar do të kemi probleme”. Ai rrëfen se ajo që kishte paralajmëruar, ndodhi më pas. Dhe për këtë shikon vetëm një fajtor: gjyqtarin. “Fajtori e ka emrin Mentor Sopjani, nënvizon Struga. Më sjelljet e tij të qëllimta, me gjestet e tij ofenduese, me gjykimin e tij jashtë standardit, provokoi 3 mijë tifozë. Një gjë e tillë nuk është parë kurrë në Pukë, ku kurrë më parë nuk ka pasur ndonjë incident, ku ‘fair-play’ ka karakterizuar çdo ndeshje. Por ky gjyqtar e kishte vendosur që më parë se çfarë do të bënte, pasi kishte futur në xhep 5 mijë euro. Sa të ketë gjyqtarë të tillë,askush nuk mund ta garantojë se nuk do të ketë ngjarje të tilla”.

Komisioni i Disiplinë në federatë pritet të marrë sot në shqyrtim ngjarjen dhe gjasat janë për një dënim të ashpër (“Dënim maksimal dhunës”, por t’i referohemi komunikatës për shtyp të FSHF-së). Një dënim kapital duket se i ka trembur drejtuesit pukjanë, të cilët kanë frikë se mos komisioni do të influencohet edhe nga jehona e madhe mediatike, që i është bërë ngjarjes.

Top Channel