
Edhe pse e ka hedhur pas shpine dëmtimin në gjurin e djathtë, Lorik Cana ende nuk ka zbritur në fushën e lojës.
Trajneri Erik Gerets nuk i la asnjë minutë në dispozicion idhullit të tifozerisë tek Olimpiku i Marsejës, as në sfidën e vlefshme për Kupën UEFA me Tuenten, as në kampionat kundër Lë Mansit.
“Shpresoja se do të luaja të paktën në kampionat, por prej mënyrës si shkoi ndeshja nuk m’u krijua mundësia që të luaja të paktën disa minuta”, deklaroi zv/kapiteni i kombëtares shqiptare.
Më tej, ai vazhdon: “Në takimin e kthimit kundër Tuentes, shpresoj të jem në fushë. Nëse trajneri kërkon që unë të luaj, prej minutës së parë, apo si zëvendësues, do të më shërbejë për të gjetur ritmin. Humbëm 1-0 ndeshjen e parë me holandezët dhe ata konfirmuan se kanë një grup mjaft të mirë lojtarësh. Ai rezultat na i komprometoi shanset për t’u kualifikuar. Gjithsesi, mendoj se nuk është e pamundur ta përmbysim këtë rezultat. Në Kupën UEFA nuk i trembem asnjë skuadre tjetër përveç Milanit.
Tashmë nuk shihemi si favoritë, por duhet të japim gjithçka që të kalojmë turnin, edhe pse e kemi të qartë se nuk do ta kemi të lehtë. Është një sfidë e ndryshme, pasi ndodhemi në disavantazhin e një goli. Megjithatë, Marseja ka në kontingjent lojtarë që mund të shënojnë gola në çdo lloj fushe. Jam mjaft optimist”. Cana kërkon që francezët të paraqiten si në fillim të sezonit, ku u shfaqën si një ekip pretendent në Ligën 1. Mesfushori 25-vjeçar ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje në vitin 2009, që prej problemit në gju.
Top Channel