
Pas “rokadës” në garën për të mbajtur kryesimin në Kategorinë Superiore, Vllaznia dhe Tirana, e harrojnë për një moment kampionatin dhe përqendrohen te Kupa e Shqipërisë.
Shkodranët presin në fushën e tyre Dinamon, në takimin e parë çerekfinal të aktivitetit të dytë për nga rëndësia. Me kontingjentin që kanë, shkodranët pretendojnë t’i fitojnë të dy trofetë, ndërkohë që pas “kurës” Shkëlqim Muça edhe dinamovitët nuk e shohin veten inferiorë.
Ata janë rikthyer në luftën për titull dhe të mërkurën synojnë të konfirmojnë momentin pozitiv. Si një finale e parakohshme cilësohet edhe sfida që do të luhet në “Selman Stërmasi”, ku Tirana luan përsëri me Elbasanin.
Barazimi 0-0 në sfidën e kampionatit e ka ndezur edhe më shumë përballjen. Gjithsesi, më të motivuar në fushën e lojës priten të jenë verdheblutë e drejtuar nga Faruk Sejdini. Kupa e Shqipërisë shihet si trofeu që do të shpëtonte një sezon zhgënjyes dhe do t’i siguronte skuadrës një vend në aktivitetet evropiane.
Në dy çiftet e tjera çerekfinaliste, Shkumbini luan kundër Besës. Kavajasit po kalojnë një moment të vështirë, por skuadra kërkon të konfirmohet si kampionia në fuqi e këtij trofeu, tashmë nën drejtimin e trajnerit Ilir Biturkut. Në përballjen e fundit, Flamurtari pret Partizanin.
Edhe pse janë në garë për të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar, njëra prej tyre do të ketë shansin të luajë në gjysmëfinale, pse jo për të tentuar të jetë surpriza e këtij edicioni. Takimet e para të 1/8 të Kupës do të zhvillohen më 25 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 11 mars.
Top Channel