Kolina: Kartoni portokalli, i mundshëm

24/02/2009 09:15

“Të shtunën, Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), organizmi që vendos rregullat e reja të lojës, do të diskutojë për kartonin ‘portokalli’.

Kjo masë ndëshkimore, e propozuar nga Federata e Irlandës së Veriut, mund të interpretohet ndryshe si pezullimi me minuta (ashtu sikurse ndodh edhe në hokej).

Gjyqtarët do ta përdorin kartonin portokalli në rastet kur kartoni i verdhë nuk mjafton, por largimi i futbollistit me karton të kuq nga fusha do të ishte i tepruar”.

Përgjegjësi i gjyqtarëve në Serinë A italiane, Pierluixhi Kolina, ka folur për disa prej ndryshimeve që mund të bëhen në sportin më popullor në botë. Ish-arbitri më i mirë në këtë sport ka folur edhe për një tjetër ndryshim, i cili mbështetet nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Bëhet fjalë për prezencën e dy gjyqtarëve në zonën e secilës skuadër, një risi që do të fillojë të eksperimentohet edhe në Itali.

“Bilbilat” e rinj do të punojnë përkrah treshes së gjyqtarëve dhe objektivi është që të minimizohen rastet e diskutueshme në zonë. Kjo do të shmangë përdorimin e pamjeve filmike në lojë. “Dy gjyqtarët e zonave? Kjo ide mbështetet fuqishëm nga Platini dhe ai dëshiron me të gjitha forcat që ajo të realizohet. Fillimisht u mendua për përdorimin e dy vijërojtësve të tjerë, por për fat të mirë ajo u ndryshua”, shpjegoi Kolina. Krerët e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) u shprehën të gatshëm të fillojnë eksperimentimet me gjyqtarët e zonave. Kam biseduar me gjyqtarët për këtë eksperiment dhe ata më pohuan se kishin më shumë kontroll gjatë episodeve që ndodhnin në zonë. Por, vendimi do të merret vetëm nga arbitri kryesor”.

Ai ka folur për episodet në derbin Inter-Milan dhe takimin Bolonja-Inter: “Për gjyqtarët, zgjidhja më e thjeshtë është që të fërshëllenin çdo prekje të topit me dorë. Megjithatë, në këtë rast, të gjithë do të tentonin të gjuanin dorën e kundërshtarit. Arbitrat nuk i vendosin rregullat, por vetëm i aplikojnë”.

Në fund tha: “Faulli për prekje të topit me dorë jepet vetëm kur është e vullnetshme dhe në dy episode ky protagonist ishte Adriano, nuk mendoj se ishte e drejtë të ndërpritej aksioni”. Në mbledhjen e Belfastit (më 28 shkurt) do të diskutohet edhe për lejimin e më shumë se tri ndërrimeve në ndeshjet që shkojnë me kohën shtesë. Risi tjetër mund të jetë edhe zgjatja e pushimit ndërmjet pjesëve të lojës, nga 15 në 20 minuta.

Top Channel