Ndeshja me Maltën konsiderohet si ndër më të rëndësishmet në Grupin 1 për Shqipërinë, pasi nëse synohet të grumbullohen sa më shumë pikë në këto eliminatore të Botërorit Afrikë e Jugut 2010, atëherë përballja me ishullorët, është mundësia që nuk duhet humbur.
Por, në prag të kësaj sfide, e konsideruar jo shumë e vështirë në letër, përfaqësuesja jonë është goditur nga dëmtimet, që kanë sjellë për rrjedhojë edhe mungesa të rëndësishme. Kështu që Shqipëria në Maltë do të duhet t’i bëjë llogaritë pa Altin Lalën dhe Lorik Canën.
Nëse zëvendësin e të parit Han e ka gjetur prej kohësh (Ervin Bulku), problem për teknikun holandez mbetet njeriu alternativë për të zënë vendin e kapitenit shqiptar të Olimpikut të Marsejës. Pozicioni i Canës konsiderohet si shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë, prandaj mungesa e tij është një dhimbje koke për trajnerin holandez. Megjithatë, ai do të duhet ta mbyllë këtë boshllëk me alternativat e pakta që ka në dispozicion.
“E thashë që do të luajmë me lojtarët që janë, thekson Han. Nuk ka vlerë të mendojmë për mungesën e Canës. Kemi mbrojtjen tonë, me lojtarët që kemi në dispozicion, si Vangjeli, Agollin e me radhë. Nuk shqetësohem për lojtarët të cilët nuk janë të gatshëm”. I pyetur nga gazetarët, nëse do të tërheqë Currin në vendin e Canës dhe të aktivizojë dikë tjetër në mesfushë, Han është absolutisht kundër kësaj ideje, ndërsa promovon Vrapin.
“Për kalimin e Currit në mesfushë, edhe pse e di që lojtari e ka këtë dëshirë, nuk jam shumë i bindur. Në këtë mënyrë rrezikoj të krijoj destabilitet në mbrojtje, repart në të cilin duhet të ruajmë balancat me fanatizëm. Kam disa ide në kokë për zëvendësimin e Canës. Në Azerbajxhan aktivizova Vrapin në këtë pozicion dhe mora sinjale pozitive”, përfundon trajneri i kombëtares sonë.
Top Channel