
Edmond Liçaj u tregua shumë i ashpër në akuzat e tij drejtuar ekipit dhe stafit drejtues, ku citohej se lojtarët e kanë shitur ndeshjen me Apoloninë, ndërsa kryetari i bashkisë ndërhyn në formulimin e formacionit të parë të skuadrës.
Ndërkohë që vetëm 24 orë më vonë është drejtori sportiv i klubit, Geri Çipi, ai që kundërpërgjigjet, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat, e ish-trajnerit të shkarkuar të Flamurtarit.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares theksoi se Liçaj u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta. “Është trajneri i dytë që ndërrojmë në këtë sezon, ka sqaruar dje Çipi.
Duke parë vazhdimësinë e ndeshjeve jo vetëm të dobëta, por edhe rezultatin 0-2 me Apoloninë dhe atë të mëparshëm me Partizanin. Ato janë ekipe më të dobëta. Nuk mund të ketë motivacione më të forta largimi sesa kur mposhtesh nga Partizani i vendit të fundit dhe Apolonia, që mbijeton për mbijetesë. Nëse do kishim marrë këto gjashtë pikë do të kishim një klasifikim të ndryshëm, duke pretenduar edhe vendet e para në klasifikim”.
Gjithsesi, tashmë Flamurtari vrapon të hedhë pas krahëve si humbjen me Apoloninë, ashtu edhe akuzat e Liçajt, pasi kampionati rikthehet sot, dhe i gjen ata në një ndeshje të vështirë në shtëpi përballë Teutës së Sulmejan Starovës. Trajneri i ri i vlonjatëve, Eqerem Memushi, synon të nisë aventurën në krye të skuadrës me një fitore kundër skuadrës durrsake.
Top Channel