Ari Han në Tiranë përgatit terrenin për anti-Maltën

04/02/2009 10:05

Pragndeshja me Maltën hyn në fazën e saj më të nxehtë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka mbërritur në kryeqytet, me një qëllim të vetëm, përgatitjet e skuadrës për takimin e 11-shkurtit, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit Afrikë e Jugut 2010.

Me ardhjen e tij në Tiranë nis edhe konkretizimi i të gjitha strategjive, të parashikuara  nga tekniku holandez i kuqezinjve në lidhje me këtë sfidë, të konsideruar si shumë të rëndësishme dhe shumë delikate për ecurinë e përfaqësues sonë në këto eliminatore në grupin 1.
 
Me të vënë këmbët në kryeqytet, trajneri i Kombëtares do të përqendrohet në evidentimin e formës disa lojtarëve të përfaqësueses, të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar, por gjithashtu edhe në zbulimin e ndonjë elementi të ri, që në një të ardhmet të shpejtë mund të trokasë në dyert e ekipit kuqezi.

Për këtë arsye, në axhendën e tij të ditës së sotme është parashikuar ndjekja nga afër e derbit Partizani-Dinamo. Ndërsa ndihmësi i tij, Vim Surbier, do të vëzhgojë po sot takimin Lushnja-Elbasani.

Në qendër të vëmendjes do të jetë forma e mbrojtësit Endi Vrapi, i cili në javët e fundit është aktivizuar edhe si mesfushor qendror. Nuk përjashtohet edhe vëzhgimi i formës së mbrojtësit Nevil Dede, i cili pretendon rikthimin në përfaqësuese. Po ashtu vetë Han nesër do të rikthehet sërish në stadium për të vëzhguar disa futbollistë të kombëtares në takimin Tirana-Shkumbini.

Vetëm pasi të vëzhgojë këto sfida, tekniku holandez do të publikojë të premten listën e lojtarëve, që do të ketë në dispozicion më 11 shkurt, në ndeshjen eliminatore kundër Maltës në La Valeta. Këtë do ta bëjë në një konferencë shtypi. Ditën e diel, trajneri Han, së bashku me disa lojtarë do të niset drejt Maltës, ku do të bëhet grumbullimi.

Takimi është parashikuar të luhet të mërkurën (11 shkurt) në orën 19:30 në stadiumin “Ta’Qali” të La Valetës dhe do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh nga Rumania.

Top Channel