
Nga fitorja në derbi te çështjet madhore kombëtare. Tirana konfirmohet si një ndër klubet e pakta (për të mos thënë e vetme) shqiptare që merr pjesë aktive në komunitet.
Drejtuesit dhe futbollistët e 23-herë kampionëve i janë bashkuar nismës së Komunitetit Mysliman në Shqipëri, që ka përpiluar një peticion për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet që aderojnë në Konferencën Islamike. Nëpërmjet kësaj nisme synohet që Kosova të fitojë sa më shumë mbështetje ndërkombëtare, kur mungojnë dy javë nga 1-vjetori i shkëputjes nga Serbia.
Më 17 shkurt 2008, Kosova u vetëshpall shtet i pavarur. Por, edhe pse ka mbështetjen e SHBAsë, Anglisë dhe disa vendeve me influencë në çështjet globale, shteti më i ri në kontinent ende nuk është njohur zyrtarisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Gjithsesi, procesi i mbledhjes së firmave, të cilat do t’i dorëzohen vendeve të Konferencës së Vendeve Islamike, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria që prej vitit 1994, e ka kapërcyer aspektin fetar. Përveç besimtarëve, ky peticion ka gjetur mbështetje të gjerë edhe jashtë Komunitetit Mysliman.
Kjo ka nxitur Refik Halilin, njërin prej donatorëve të klubit bardheblu e biznesmen i njohur, drejtuesit e futbollistët që t’i bashkohen lëvizjes. Halili, i shoqëruar nga kapiteni Devi Muka, drejtori teknik i skuadrës, Alban Tafaj dhe shumë pjesëtarë të tjerë të Tiranës, ishin mes atyre që hodhën firmat.
Edhe pse në mesjavë (të mërkurën, më 4 shkurt) i pret një sfidë e vështirë me Shkumbinin, kryeqytetasit e shkëputën vëmendjen për disa çaste nga futbolli. “Vendosëm që së bashku me disa futbollistë të Tiranës, të cilët dëgjuan për këtë nismë të nisur nga qytetarët e Tiranës, të bëheshim pjesë e peticionit për njohjen e Kosovës”, deklaroi donatori Halili. “Në bazë të të dhënave (edhe pse jozyrtare) flitet se është një numër mjaft i madh qytetarësh që i janë bashkuar kësaj iniciative dhe kanë firmosur. Edhe ne, pa bërë shumë komente, vendosëm që t’i bëjmë thirrje vendeve islamike për të njohur pavarësinë e Kosovës”.
Peticionet
Nisma e besimtarëve myslimanë në Shqipëri nuk është e izoluar. Ajo qëndron përkrah një tjetër iniciative, që ka nisur në Prishtinë, e cila u kërkon vendimmarrësve “të njihet vullneti i popullit të Kosovës dhe që Kosova të ketë vendin e merituar dhe të fituar me shumë mund në familjen e shteteve të pavarura dhe demokratike”. Të rinjtë, iniciatorë të këtij peticioni, kërkojnë që vendi i tyre të bëhet “tokë e shpresës”: “Kjo mund të realizohet vetëm nëse respektohet dhe njihet ndërkombëtarisht vullneti i popullit tonë”.
Ky peticion, i shpërndarë në internet, ka gjetur mbështetjen e afro 23200 personave, shqiptarë që jetojnë në të gjithë botën.
Top Channel