
Tirana dhe Dinamo kanë ndezur në maksimum motorët për të bërë një start të mirë në këtë pjesë të dytë të kampionatit, që ka vënë përballë njëra-tjetrës në sfidë numër 126 mes tyre.
Bilanci i sfidave të mëparshme favorizon Tiranën: 51 fitore, 33 barazime. Vetëm 41 fitore për Dinamon, ndërsa golavarazhi është: 187-162. Gjithsesi, në një ndeshje të tillë derbi pak vlejnë shifrat e mëparshme. Fjalën do ta ketë fusha e lojës, e cila mund të propozojë surpriza.
Vetëm pesë ditë më parë, të dyja skuadrat kanë lënë pas minifazën përgatitore në Turqi dhe tashmë i kanë përqendruar të gjitha forcat e tyre te ndeshja e së shtunës në stadiumin “Qemal Stafa”. Pozicioni në tabelë dhe ambicia për titull në këtë sezon e ka ndezur edhe më shumë atmosferën në prag të këtij derbi.
Të dyja ekipet janë përforcuar gjatë merkatos së dimrit. Spikat Dinamo, e cila ka bërë 5 blerje në këtë periudhë: Bakaj, Plaku, kroati Bodrusiç dhe dy argjentinasit Çeko e Romero. Ndërsa bardheblutë kanë afruar vetë dy lojtarë, Patushin dhe Rrudhon. Tirana ka zbritur edhe dje në stërvitje, e udhëhequr nga trajneri Agustin Kola.
Në fund të saj, tekniku i bardhebluve ka dhënë vlerësimet për derbin, ndërkohë që ka preferuar ta mbajë “sekret” 11-shen titullare. “Formacionin do ta bëj të ditur vetëm pak para ndeshjes. Ndërkohë s’ka shpresa për rikthimin si titullar të kapitenit Mukaj. Skuadra po kalon një gjendje të mirë fizike, nuk ka asnjë të dëmtuar.
Sefa është i skualifikuar për shkak të kartonëve. Ndërsa Dinamo ka zhvilluar një ndeshje kontrolli. Për të ndjekur nga afër këtë ndeshje kanë qenë të pranishëm mjaft tifozë, si dhe drejtues të Dinamos. Trajneri Daliç e ka zgjatur këtë minindeshje vetëm 40 minuta dhe ajo që binte në sy ishte mospërfshirja në formacionin e parë të Plakut dhe Diopit. Deri në përballjen me Tiranën në derbi mund të priten dhe ndryshime në formacion nga ana e kroatit.
Hyrja për ta do të jetë falas. Dinamo, kampionia në fuqi (17 trofe), humbi në fazën e parë me Tiranën (23 herë kampione) me rezultatin 2-1. Golat u shënuan nga Allmuça (Dinamo) dhe Memelli e Muzakës (Tirana). Derbi do të jetë dhe një përballje mes “ish”-ësh që kanë veshur bluzat e të dyja skuadrave si Xhafaj, Alecheny e Deliallisi nga bardheblutë dhe Pisha, Allmuça, Sina e Çapja nga blutë.
Top Channel