
Pas një muaji mungesë nga fushat e lojës, Lorik Cana shfaqet optimist. Edhe pse nuk është mësuar me mungesa kaq të gjata, mesfushori kuqezi nuk është demoralizuar.
Ai e sheh me filozofi dëmtimin në gju, duke preferuar të mos e rrezikojë pjesën e mbetur të sezonit, por njëkohësisht deklaron se riaftësimi i plotë është fare pranë. “Që prej dëmtimit më 21 dhjetor kam punuar i distancuar, duke iu nënshtruar rehabilitimit në pishinë dhe stërvitjes me biçikletë”, deklaroi kapiteni i Olimpik Marsejës.
“Analizuam të gjitha mundësitë dhe ndoqëm rrugën më të sigurt, pasi nuk dëshiroja të humbisja pjesën e mbetur të edicionit. Është e vërtetë që rikuperimi zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar, por fatmirësisht periudha pa futboll po përfundon. Dhimbjet kaluan dhe tashmë është çështje kohe përpara se të rifilloj stërvitjen me skuadrën”.
Cana është në dyshim për sfidën eliminatore që Shqipëria do të luajë më 11 shkurt në fushën e Maltës. Gjithsesi, nëse gjithçka ecën mirë, 25-vjeçari mund t’i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Ari Han dhe më pas në La Valeta do të vendoset nëse mesfushori është i gatshëm të luajë. Mungesa e sigurt e kapitenit Altin Lala e bën edhe më të rëndë dëmtimin e Canës, pasi tashmë në rolin e shkatërruesit në mesfushë ndodhet vetëm Ervin Bulku.
Top Channel