
Rihapen dyert e Klubit Shumësportësh Partizani për sportistët elitarë. Kjo ka nisur që me bërjen dje zyrtare të krijimit të skuadrës së boksit pranë këtij klubi.
I pranishëm ka qenë edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i cili ka komentuar: “Ne do të ringjallim në këtë klub një traditë në sportet elitare të Shqipërisë. Duke qenë se boksi është sport elitar, besojmë se kjo skuadër do të japë në të ardhme rezultate pozitive në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Më pas është prononcuar edhe presidenti i Federatës së Boksit, Paulin Sterkaj, një ish-sportist i këtij klubi, që thekson se rivaliteti në këtë sport burrëror është çelësi i suksesit. “Unë në këto muaj që kam qenë në krye të boksit, kam parë se boksi shqiptar ka nevojë për rivalitet. Ne do vazhdojmë të mundësojmë krijimin e klubeve të tjera”, pohon Sterkaj. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Klubit Shumësportësh Partizani, Mirjan Hakani, ka deklaruar se kjo është nisma e parë për të rigjallëruar sportet e tjera në këtë klub.
Top Channel