
Jahmir Hyka do t’i paguajë K.F. Olimpikut 100 mijë euro, pas transferimit te Mainci në kampionatin gjerman. Deri më tani, skuadra kryeqytetase nuk kishte përfituar asnjë kacidhe nga kalimi i bujshëm i mesfushorit në Bundesligën II.
Në maj të vitit 2008, Mainci fitoi garën për 20-vjeçarin, duke paguar 3,7 milionë euro. Nga ky transferim, Olimpiku do të përfitojë një pjesë të shifrës, si klubi që e ka rritur talentin.
“Në lidhje me ankesën e K.F. Olimpiku, pasi u njohëm me shkresën e dërguar nga Jahmir Hyka, i cili konfirmoi detyrimin prej 100 mijë eurosh, pranoi pagesën e shifrës në dy pjesë”, theksohej në vendimin e Komisionit të Disiplinës.
“Pagesa e gjysmës së parë bëhet menjëherë pas nënshkrimit të shkresës nga futbollisti, ndërsa 50 mijë eurot e mbetura do të derdhen në arkat e klubit në shtator 2009. Ky propozim është pranuar edhe nga drejtuesit e Olimpikut”.
Në këtë mënyrë, zgjidhet mosmarrëveshja mes palëve, ndërkohë që Hyka është paralajmëruar se do të ketë sanksione nëse nuk e respekton akordin. Mesfushori, i cili mban rekordin për golin më të shpejtë kuqezi (vetëm 46 sekonda pas fillimit të sfidës së 20 gushtit 2008 me Lihtenshtejnin), nuk do të jetë i grumbulluar nga Ari Han për ndeshjen eliminatore të 11 shkurtit kundër Maltës.
Top Channel