Fortuzi: Skënderbeu, një privilegj

27/01/2009 11:00

Indrit Fortuzi “braktis” Tiranën për Korçën, duke nisur karrierën si trajner i Skënderbeut.

Ish-sulmuesi bardheblu ka marrë drejtimin e kryesueses së Kategorisë I: eksperienca e tij e parë si teknik.

“Kam ardhur për të punuar më shumë se një fazë me ekipin e Skënderbeut. Është kënaqësi të punosh me një ekip të tillë dhe është privilegj për mua ta drejtoj atë për vetë historinë që ka ekipi i Korçës. Mendoj se do ta justifikoj punën time për të ngjitur Skënderbeun atje ku e meriton. Marr drejtimin e një ekipi me traditë në futboll dhe ky është një vlerësim i madh, por edhe një obligim në karrierën e re si trajner”, deklaroi “Zogu” gjatë prezantimit të tij.

Puna për rikthimin e bardhebluve në elitën e futbollit shqiptar nuk duket e vështirë, edhe sepse skuadra kryeson kampionatin me 33 pikë të grumbulluara në 15 javë.

Ndjekësja më e afërt e korçarëve, Laçi, ndodhet 4 pikë larg. Pas prezantimit nga kreu i Bashkisë, Niko Peleshi, Fortuzi ka filluar ditën e parë të punës me ekipin.

Top Channel