
Shqipëria, në fund të vitit 2009, do të ketë një stadium të denjë, i cili do t’i plotësojë të gjitha standardet e Champions League.
Ky është projekti që ka dalë nga bashkëveprimi i FSHF-së me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për të arritur standardet e kërkuara do të duhet që të investohet në të 10 milionë euro, një shumë kjo e cilësuar e mjaftueshme për momentin nga dy institucionet e mësipërme, përgjegjëse për futbollin në vendin tonë.
Gjatë përurimit të një fushe minifutbolli, e cila do të jetë nën shërbimin e shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli”, por edhe të komunitetit në zonën e minibashkisë nr. 2, ministri Ylli Pango gjeti rastin të rikonfirmonte se projekti më i madh në sport për vitin 2009 do të jetë rikonstruktimi i stadiumit tonë kombëtar.
Gjithçka pritet të realizohet në bashkëpunim mes qeverisë shqiptare, FSHF-së dhe organizmave më të lartë të futbollit në Evropë dhe botë, UEFA e FIFA. “Investimi më i madh që përgatitemi të bëjmë në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n do të jetë rikonstruksioni i plotë i stadiumit ‘Qemal Stafa’.
Mendoj se do të duhet një investim, i cili do të kushtojë te rreth 10 milionë euro, për ta kthyer atë në një stadium të përmasave dhe të standardeve ndërkombëtare. Ky është një prelud i një pune të madhe që parashikojmë të bëjmë në 2009-ën”. Por gjërat janë ende në letër.
Hapi i parë i konkretizimit ka filluar dje pas deklaratës së ministrit Pango, i cili njoftoi se do të kishte një takim mes Dukës, atij vetë dhe ministrit të Ekonomisë, Gjergj Ruli. “Do të ketë një takim për çështjen e stadiumit”, saktësoi Pango. Takimi u zhvillua në mesditë dhe burime në FSHF-së njoftuan se u arrit një marrëveshje, në vijim të ofertës së UEFA-s për rinovimin e impiantit.
“Takimi u zhvillua në mesditë, pohuan burime pranë FSHF-së, nuk mund të themi shumë, me përjashtim të faktit se është arritur një marrëveshje për stadiumin”. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ofroi 5 milionë euro nga institucioni i tij për “Qemal Stafën”, ndërsa 50 për qind të tjera, pra 5 milionë euro, duhej të investoheshin nga shteti shqiptar. Në stadium do të ndërhyhet në disa faza.
Punimet kryesore do të përqendrohen në mbulimin e tribunës karshi dhe asaj kryesore dhe shtimin e vendeve për tifozët. Planifikohet që stadiumi kombëtar të ketë një tribunë qendrore krejt të re, një parking në sheshin “Italia” (besohet nëntokësor), si dhe kushte shumë më të mira për gazetarët, personat VIP, të akredituar të tjerë dhe për pjesëtarët e skuadrave që do të luajnë.
Në përfundim të punimeve, mendohet se “Qemal Stafa” do të jetë një stadium, i cili do të përmbushë të gjitha standardet e Champions League
Top Channel