Sulmuesi Albert Bunjaku, kontratë me Nurembergun

14/01/2009 10:20

Albert Bunjaku është lojtar i Nurembergut në Bundesligën II. 25-vjeçari ka gjetur marrëveshjen me klubin gjerman, duke firmosur një kontratë deri në vitin 2012.

 Megjithatë, sulmuesi kosovar, i cili zotëron pasaportë zvicerane (ku ka luajtur 15 ndeshje për përfaqësuesen U-21 helvetike), do të vazhdojë të luajë për Rot-Vais Erfurt deri në fund të këtij sezoni.

Gjatë këtij kampionati, në 18 ndeshje Bunjaku ka realizuar nëntë gola dhe me paraqitjet e mira kishte tërhequr edhe vëmendjen e skuadrave elitare në Gjermani, si Energie Kotbus dhe Arminia Bielefeld. Por, oferta e Nurembergut ka qenë më e mirë.

Pas akordit me ekipin, ku do të fillojë të luajë në sezonin 2009/2010, futbollisti deklaroi: “Më duhet të falënderoj drejtuesit e Erfurtit, që nuk më krijuan probleme, por më lejuan të transferohem te Nurembergu në fillim të sezonit të ardhshëm. Zgjedhja e skuadrës sime të re nuk ka qenë e thjeshtë, por mendoj se kjo është një sfidë e re sportive”.

Në vitin 2004, Bunjaku ka luajtur për zviceranët e Shafhauzen, duke kaluar në futbollin gjerman në sezonin 2005/’06, ku gjatë merkatos së janarit u bë pjesë e Paderbornit. Por, aventura te ky klub zgjati deri në fund të edicionit, pasi sulmuesi u transferua te Rot-Vais Erfurt, skuadër me të cilën ka realizuar 27 gola në 59 takime.

Momenti më i lavdishëm i Bunjakut ka qenë padyshim ndeshja e turit të parë të Kupës së Gjermanisë, në gusht 2008, ku ai shënoi dy gola në portën e Bajernit të Mynihut, ndërkohë që skuadra e tij humbi me rezultatin 4-3.

Top Channel