
E ardhmja e talentit të ri shqiptar, Brian Filipi (19 vjeç nga Lezha), do të jetë te skuadra e Palermos, duke krijuar kështu një “komunitet” shqiptarësh bashkë me portierin Sajmir Ujkani dhe sulmuesin Edgar Cani (të huazuar tek Askoli në Serinë B).
Lajmi është bërë i njohur dje pikërisht nga menaxheri i futbollistit të ri, Sokol Haxhia, i cili në një prononcim të dhënë për faqen sportive online “Albania-sport.com”, ka detajuar edhe tratativën për këtë transferim premtues në radhët e skuadrës siciliane.
“Palermo është një nga skuadrat e njohura të Serisë A dhe ka në politikën e saj blerjen e futbollistëve të talentuar dhe kështu vepruan edhe dy vitet e fundit me Samir Ujkanin dhe Edgar Çanin, nënvizoi Haxhia. Karriera modeste e Filipit, mori një hop cilësor menjëherë pas pjesëmarrjes së tij në “Elite Raund”, ku Shqipëria U-19 e drejtuar nga Ramadan Shehu u ndesh me Gjermaninë, Sllovakinë e Kroacinë. M
ë pas, në muajin korrik 2008 ai u bë pjesë e skuadrës italiane “Ravena Calcio” në Serinë C1/A. Në radhët e kësaj skuadre, shqiptari u shndërrua në një lojtar protagonist. “Vlera e operacionit të Filipit shkoi te 1.5 milionë euro për 100% të vlerës së kartonit të tij, ndërkohë që Ravena shpreson të mbajë 50% të vlerës, pasi duke qenë se Filipi do të jetë pjesë e Serisë A, atëherë edhe vlera e rishitjes së tij te një klub tjetër do të jetë më e madhe”, tha menaxheri i tij.
Brian Filipi, i konsideruar edhe një “Ervin Skela i ri”, për shkak të vizionit të tij për lojën e goditjet standarde, është lojtar i kombëtares shqiptare U-21 dhe ka luajtur në dy ndeshjet e fundit eliminatore të Kampionatit Evropian 2009, kundër Kroacisë dhe Azerbajxhanit.
“Për momentin, Palermo ka interes ta huazojë pranë Ravenës, që edhe Filipi të luajë në vazhdimësi e të rritet si lojtar, për të qenë i gatshëm me fillimin e sezonit të ri për të përballuar një kampionat të fortë, siç është Seria A në Itali, theksoi Haxhia. Filipi është golashënuesi më i mirë i Ravenës në sezonin aktual. Duke parë ecurinë e mirë të këtij lojtari, drejtuesit e Ravenës i ndryshuan kontratën e tij vetëm në fund të dhjetorit të kaluar, duke e kthyer në një kontratë si lojtar profesionist.
Top Channel