
Ari Han injoron Kristiano Ronaldon. Trajneri i kombëtares shqiptare nuk e ka përfshirë mesfushorin portugez në listën e tij për çmimin e FIFA-s, “Lojtari më i Mirë në Botë 2008”.
Në përfundim të votimit, ku morën pjesë 115 teknikë dhe kapitenë të përfaqësueseve nga e gjithë bota, lojtari i Mançester Junajtid ka fituar.
Kristiano Ronaldo grumbulloi 935 pikë, duke lënë pas tij yllin argjentinas, Lionel Mesi, me 678 pikë dhe sulmuesin e Spanjës, Fernando Torres, me 203. Mendimi i Han për futbollistin, që në dhjetor 2008 fitoi “Topin e Artë”, duket se është ndryshuar edhe pas barazimit historik 0-0, që Shqipëria arriti në Portugali më 15 tetor.
Përpara asaj sfide, holandezi kishte deklaruar se “për të frenuar Ronaldon duhet të përdorësh pistoletën”. Por, në distancën e tre muajve, për drejtuesin e stolit kuqezi, mesfushori i krahut nuk është ylli që të gjithë mendojnë. Në përballjen eliminatore për Botërorin 2010, loja e luzitanit ishte studiuar deri në detaje nga Han, ndërkohë që në fushën e lojës ai u neutralizua nga Kristi Vangjeli, protagonist i një paraqitjeje brilante.
Emrat e votuar nga 60-vjeçari për “Lojtarin më të Mirë” ishin Leo Mesi, Fernando Torres dhe francezi Frank Riberi. Një fakt tjetër mjaft interesant është se nga të gjithë trajnerët “tulipanë”, që punojnë me ekipe kombëtare në të gjithë botën, vetëm Leo Benhaker (Poloni) kishte vendosur në krye Kristiano Ronaldon.
Për Pim Verbek (Australi), portugezi ishte preferencë e tretë, ndërsa trajnerët e tjerë, duke filluar nga Bert van Marvijk (Holandë) e Gus Hidink (Rusi), nuk e kanë klasifikuar në asnjë prej tri vendeve që përmban çdo formular. Këtu përfshihen edhe Ari Han, Ervin Kuman (Hungari) dhe Mart Noij (Mozambik).
Altin Lala
As kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, nuk ka konsideratë të lartë për Kristiano Ronaldon. Për 33-vjeçarin, portugezi meritonte vetëm vendin e tretë në klasifikimin për çmimin e FIFA-s.
Mesfushori i Hanoverit në Bundesligën gjermane ka zgjedhur në vendin e parë talentin e Barcelonës, Leo Mesi, ndërsa pas tij lojtarin e Bajernit të Mynihut dhe përfaqësueses transalpine, Frank Riberi. Ndryshe nga një vit më parë, kur për “Lojtarin e Vitit 2007” votoi për brazilianin e Milanit, Kaka, këtë herë “veterani” kuqezi nuk arriti ta gjejë fituesin.
Kundërshtarët
Sipas rregullores, trajnerët dhe kapitenët nuk lejohet të votojnë për lojtarë nga vendi i tyre. Si përfaqësues të Portugalisë votuan Luis-Felipe Skolarin, tashmë në krye të Çelsit dhe sulmuesin Nuno Gomes. Ata ishin në unison, duke votuar Kakanë, Mesin dhe Drogbanë.
Lars Lagerbak, trajneri i Suedisë, vendosi të parin Kaka, ndërsa pas brazilianit Ronaldon dhe Mesin, ndërsa klasifikimi i kapitenit Ljunberg (tashmë i larguar nga arena ndërkombëtare) ishte: Mesi, Kaka e Drogba. Morten Olsen (Danimarkë) rendit të parin Kaka, e pas tij Ronaldon e Prilon, ndërsa kapiteni Jon Dahl Tomason mbështeti Pirlon, Drogbanë dhe Gatuzon.
Top Channel