
Kriza te Partizani është është pranë zgjidhjes. Në fakt, sot përfundon afati i pritjes, që futbollistët i kanë vendosur presidentit Albert Xhani për shlyerjen e rrogave të prapambetura.
Pasi janë “ushqyer” prej shumë kohësh me premtime, por ku nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret, lojtarët duken fare pranë prishjes së kontratës me klubin.
Ata nuk paguhen prej tetë muajsh për aktivizimin me të kuqtë, ndërkohë që Xhani nuk duket në skuadër që prej datës 7 dhjetor 2008: në atë periudhë, menjëherë pas barazimit 2-2 me Tiranën, ai shprehu me eufori se situata financiare do të zgjidhej (duke vendosur afat datën 25 dhjetor), madje se do të ndërtonte një ekip të madh.
Megjithatë, premtimet mbetën thjesht mediatike, pasi shlyerja financiare jo vetëm që nuk erdhi, por situata është përkeqësuar dhe skuadra duket drejt shkrirjes. Lojtarët vendosën si afat të fundit datën 12 janar (ditën e sotme), në mënyrë që të përfitojnë nga merkatoja e janarit për t’u transferuar në skuadra të tjera të Superiores.
Nëse shpërndarja e rrogave nuk bëhet, tekniku Shpëtim Duro rrezikon të ketë në dispozicion vetëm lojtarët e ekipeve të moshave.
Top Channel