
70 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ky është bilanci i luftimeve mes milicive të dala jashtë kontrollit të autoriteteve në jug të Libisë.
Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i Këshillit Tranzitor Kombëtar, autoriteti qeverisës i përkohshëm me mandat deri në mbajtjen e zgjedhjeve daljen prej tyre të qeverisë së re.
“Na vjen keq që më shumë se 70 persona kanë humbur jetën dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur nga përleshjet me armë në jug të vendit. Apelojmë për qetësi dhe uljen e armëve. Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë grupeve të armatosura për të vendosur rendin dhe qetësinë në të gjithë territorin e Libisë”, deklaroi zëdhënësi Nasser al-Manaa në Tripoli.
Më herët një burim lokal deklaroi se intensiteti i luftimeve ka qenë i lartë, një masakër e vërtetë. Ndërkohë, qeveria e Tripolit ka dërguar trupat ushtarake të saj në zonat jugore, në përpjekje për të rivendosur qetësinë.
Top Channel