Dita e jetimëve, Meta: Jo vetëm bamirësi

Në ditën kombëtare në ndihmë të jetimëve, kreu i Kuvendit, Ilir Meta foli për problemet që kjo shtresë e shoqërisë ka sot në arsim, punësim dhe kujdesin shëndetësor.

Duke e cilësuar këtë kategori si një nga shtyllat kryesore të emancipimit të një shoqërie, Meta tha se problemet e këtyre fëmijëve nuk zgjidhen si bamirësi, por kanë nevojë për politika të vazhdueshme.

“Solidariteti njerëzor me fëmijët jetimë është shtyllë e rëndësishme e emancipimit dhe humanizmit të një shoqërie bashkëkohore. Situata aktuale dëshmon se jetimët kanë probleme. Ka sfida në arsim, punësim dhe kujdes shëndetësor. Organet e qeverisë vendore duhet të angazhohen edhe më shumë për strehimin e jetimëve. Më shumë punë për jetimët do të thotë një shoqëri më e mirë dhe e drejtë. Jetimët ndërpresin studimet për të garantuar mbijetesën. Por, arsimimi i plotë jep më shumë mundësi për të ardhura më të mira”, tha Meta.

Kreu i Shoqatës së Jetimëve të Shqipërisë, Lulzim Resuli kërkoi në këtë ditë një vëmendje më të madhe ndaj kësaj kategorie, pasi në Shqipëri numërohen 29 mijë jetimë të cilët kanë nevojë për mbështetje nga shteti, për të nisur që nga strehimi i tyre.

Top Channel