Shtëpia e ish-kryeministrit Sali Berisha prej disa ditësh po vizitohet nga mbështetës të tij të shumtë, që në pamundësi për ta takuar atë në selinë e Partisë Demokratike, i drejtohen vendit ku Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Së fundmi, ish-ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha njoftoi përmes një statusi në rrjetet sociale se ish-kryeministrin e ka vizituar edhe sekretarja e përgjithshme e shoqatës Vatra, Nazo Veliu dhe Presidenti i Nderit të kësaj Federate, Agim Rexhaj.
“Zonja Nazo Veliu, përfaqësuese e denjë e një familjeje të shquar patriote nga Çamëria, demokrate e shquar dhe juriste profesioniste, si dhe shtetase e nderuar e vendit më mik ndaj shqiptarëve në botë, SHBA-së, nuk mund të mos vizitonte atë që e konsideron si frymëzim shpirtëror dhe simbol qëndrese përballë fortunave të jetës, me të cilat na ka përplasur historia. Falënderimet e saj për atë që Dr. Berisha ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe respekti i tij i pa-matshëm për VATRËN dhe VATRANËT, ishin temat kryesore të bisedës së tyre në këtë takim vëllazëror”, shkruan Mal Berisha.
Por pas publikimit të këtij lajmi ka reaguar shoqata Vatra e cila bën të ditur se Nazo Veliu nuk është më sekretare e përgjithshme e shoqatës, madje Gjykata e Lartë në Nju Jork e ka dënuar atë t’i rrijë larg selisë së shoqatës.
“Sqarojmë opinionin publik dhe mediat e interesuara, se znj. Nazo Veliu jo vetëm që nuk është më Sekretare e Federatës ‘Vatra’, por prej një viti ajo është përjashtuar unanimisht nga Vatra, për shkelje të vazhdueshme të kanunores dhe ligjeve të SHBA-ve dhe aktualisht ndodhet në proces penal në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, përmes të cilës znj. Nazo Veliu së bashku me disa individë të tjerë jo anëtarë të ‘Vatrës’ ju është ndaluar pjesëmarrja e përfaqësimi, për të cilat gjykata ka marrë vendim që të jenë të përjashtuar nga të gjitha aktivitetet, funksionet dhe në të njëjtën kohë të qëndrojnë larg selisë të ‘Vatrës’ në Bronx, Neë York”, thuhet në reagimin e Vatrës.
Top Channel